DURRES, 30 prill 2013 – Arben Malaj, deputet e njëkohësisht anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste, zhvilloi ditën e sotme në qytetin e Durrësit një takim me studentët dhe të rinjtë e këtij qyteti. Qëllimi i këtij bashkëbisedimi ishte nxitja dhe inspirimi i të rinjve për një pjesëmarrje sa më të gjerë në politikëbërjen aktive, duke nisur nga zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit. 

Mesazhet kryesore që u nënvizuan gjatë takimit të deputetit Malaj me të rinjtë ishin:

– Domosdoshmëria e rritjes së pjesëmarrjes së të rinjve në zgjedhjet parlamentare, duke vlerësuar se kjo kërkon angazhimin jo vetëm të forumeve rinore të partive politike, por të gjithë të rinjve si pjesa më dinamike e shoqërisë të jenë pjesë aktive dhe të votojnë.

– Të rinjtë duhet të imponojnë një kulturë të re politike duke filluar nga vetvetja. Të angazhohen për të kontribuar dhe konkuruar me kolegët e tyre duke u bazuar në avantazhet e tyre dhe jo në ballafaqime agresive apo përbaltosëse. Ata duhet t’i konsiderojnë kolegët e tyre, të partive të tjera, si konkurentë, kundërshtarë, por jo si armiq politik. Kjo e bën më të efektshëm rezultatin dhe impaktin e çdo gare politike. 

– Vendi ndodhet përballë sfidave të vështira ekonomike e sociale. Zgjedhjet duhet të prodhojnë rezultate pozitive në ambjentin politik duke eleminuar krizat e njëpasnjëshme. Të gjithë shqiptarët meritojnë një të ardhme më të mirë. 

Në dy vitet e fundit, Malaj ka zhvilluar një sërë takimesh me të rinjtë me qëllim nxitjen dhe motivimin e tyre për t’u përfshirë aktivisht në politikë. Këtu mund të përmendim takimet dhe bashkëbisedimet me të rinjte në qytetin e Tiranës, Shkodrës, Kukësit, Durrësit dhe Vlorës. Pjesë aktive e aktivitetit të tij publik kanë qënë edhe leksionet e hapura në universitetet e mbarë vendit por edhe në rajon me fokus, sfidat integruese të Ballkanit Perëndimor.