Në stinën e vjeshtës dhe të dimrit temperatura është më e ulët ndaj edhe kujdesi për lëkurën duhet të jetë më i lartë. 

Me ndryshimin e temperaturës, ajri i ftohtë në ambientet e jashtme është më i thatë, ndërsa në ambientet e brendshme përdorim ngrohës artificial  të cilët kontribuojnë në tharjen e ajrit dhe kjo bën që epiderma (shtresa e jashtme e lëkurës) të humbasë hidratimin dhe të thahet thotë dermatologia e njohur në Durrës, Xhiliola Kovaçi Doçi.

Tharja e epidermës bën që barriera natyrale e lëkurës tonë të dëmtohet dhe të jetë më e prirur për të bërë dermatite të ndryshme, siç janë dermatiti autopik apo ekzemat, ku moshat më të prekura janë fëmijët dhe të moshuarit, tek të cilët lëkura është më e varfër me gjendra yndyre sipas mjekes dermatologe.

Por në këtë periudhë vihet re përkeqësimi i sëmundjeve të lëkurës të cilat gjatë stinës së verës përmirësohen nga rrezatimi diellor, thotë Kovaçi-Doçi ndërsa për lexuesit e "DurrësLajm" shpjegon edhe çfarë mund të bëjmë për t’a ndihmuar lëkurën.

"E para është të heqim dorë nga zakonet e implementuara në stinën e verës; të heqim dorë nga dushet e zgjatura, larësit të pasur me fragranca," thotë ajo.

Krahas atyre çfarë u tha më lart, gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit në ndihmë të lëkurës vijnë edhe disa trajtime të ndryshme të cilat nuk këshillohen të bëhen në pranverë apo verë.

Tashmë i ftohti është i pashmangshëm pasi është fiks në kohën e tij ndaj na mbetet vetëm të marrim masat e duhura për të përballuar me sukses këtë stinë, e cila duhet thënë është periudha ideale për kujdesin ndaj lëkurës, për të riparuar dëmtimet nga dielli!

G.D.