Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimi ndaj ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja.

Ish-deputeti dyshohet se ishte përdorues i aplikacionit SKY dhe se bashkëpunoi me personazhe të një grupi kriminal në Durrës.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha gjatë edicionit kryesor informativ tha se burime shumë të sigurta konfirmuan se “pas një hetimi të gjatë dhe nga përgjigjet e autoriteteve franceze u zbulua se gjatë kohës që ishte deputet, ai ishte përdorues i aplikacionit Sky dhe se ka të dhëna sekrete se ka bashkëpunuar me personazhe të një grupi kriminal në Durrës”.

Bashkë me të ka rënë në pranga edhe një bashkëpunëtor, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Sipas burimeve, ai ra në pranga nga një dosje tjetër nën hetim, ndërsa Gjykata e Posaçme nxori urdhër arrestin pas masës arrest në burg në mungesë.

Pas kësaj, Policia e Shtetit bashkë me hetues të byrosë zbatuan urdhrin për ish-deputetin e akuzuar për tre vepra penale.//TCH