Një 72-vjeçar ka humbur jetën pas një zjarri që përfshiu banesën e tij pasditen e së shtunës në lagjen nr. 15 të Korçës. Viktima, Urim Hysolli, sipas banorëve të zonës, vuante nga varësia ndaj alkoolit dhe ishte rikthyer vetëm pak javë më parë në apartamentin e tij, të cilin prej shumë kohësh e kishte dhënë me qira, duke bashkëjetuar me qiramarrësit.

Sipas dëshmive të banorëve, disa ditë më parë ai kishte tentuar t’i vinte flakën banesës në gjendje të dehur, por zjarri ishte shuar në kohë. Dyshohet se edhe këtë herë flakët kanë nisur brenda apartamentit dhe janë përhapur me shpejtësi. Në vendngjarje ndërhynë forcat zjarrfikëse dhe policia, por 72-vjeçari nuk mundi të shpëtohej dhe dyshohet se humbi jetën nga asfiksia.

Korçë/ Informacion paraprak

“Rreth orës 15:45, në lagjen nr. 15, Korçë, në katin e parë të një pallati, dyshohet se ka rënë zjarr në banesën e shtetasit U. H., rreth 72 vjeç. Si pasojë e asfiksisë, ka ndërruar jetë shtetasi U. H., i cili ndodhej në banesë.

Shërbimet e Policisë dhe ato të zjarrfikëses ndodhen në vendngjarje dhe po bëjnë evakuimin e banorëve të pallatit, si dhe shuarjen e zjarrit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të rënies së zjarrit.”