Nga BUJAR QESJA

– Sot festë e madhe e basketbollit durrsak
– Hapet fotoekspozita “Historia e vyer e koshit në Durrës”
– 5 vjetori i largimit nga jeta dhe 93 vjetori i lindjes i Dhimitraq Gogës
– Igli Goga me të tijët, në mbrojtje të traditave dhe historisë

Kjo është sentencë e njohur, duke qenë saktësisht kështu: "Krishti u ngjall". Dhe për analogji, nuk jam i bindur se mund të kem gabuar, teksa nxitoj që materialin e sotëm t’ia vë titullin "Dhimitraq Goga u ngall". Edhe ai është një Krisht. Jo i besimit, por i fesë së durrsakëve, siç është basketbolli. 
Bëjmë shumë politikë. Flasim shumë e dëgjojmë pak. Kudo dominon ngjyra gri jo vetëm e realitetit, por edhe e jetësimit tonë të përditshëm.

Por në këtë rrokopujë tragjiko komike, ka forca, apo grupe, apo individë, që prodhojnë apo gjenerojnë optimizëm, sentiment e mall për traditën, historinë dhe identitetin tonë. Ata që janë larguar nga jeta, ta zëmë kolosë si Dhimitraq Goga, nuk flasin më, nuk janë të gjallë, por nuk vdesin kurrë dhe vazhdojnë të komunikojnë me ne. Po si? Ja kështu me gjuhën e fuqishme, e të pasur dhe të paharruar të historisë, të vlerave, të identitetit, të asaj që quhet humane dhe njerëzore.

Sot është 29 qershori i vitit 2018. Fiks, me 29 qershor 1925, lindi në Durrës Dhimitraq Goga, këtu e 93 vite të shkuara. Me 27 qershor 2013, ndahet nga jeta, por jo nga ne, Dhimitraq Goga. Para dy ditësh, ky Gogë historik mbushi plot 5 vite që nuk është me ne, por gjithnjë pranë nesh. Në mes të lindjes dhe vdekjes, janë plot 88 vite jetë. Kjo është ajo, që nderohet sot në Durrës. Pasi jeta e Dhimitraq Gogës, është jeta e sportit të Durrësit dhe veçanërisht e basketbollit durrsak.

Po cili është ai njeri, që Zoti e çon mu aty ku duhet, për të ngjallur, apo ringjallur, një mit, për të na ngjallur edhe ne nga pak, ndonëse marrim frymë normalisht? Ky njeri quhet Perikli Goga, apo siç i thërrasin shkurt Igli. Është djali i Vlash Gogës dhe i nipi i Dhimitraq Gogës. Ai ka gjetur një rrugë, për ta bërë të shndritshme figurën e Dhimitraq Gogës dhe jo vetëm aq, por edhe të basketbollit të qytetit tonë të lindjes, Durrësit tonë të shtrenjtë, vendstrehimit të eshtrave të prindërve tanë. Jo thjesht për të shkuar në varrezë, e të ndezë një qiri. Igli Goga, e ka bërë sfidën. Ai ka ndezur qirinë e memories së fuqishme të durrsakëve të mi, të mallit dhe dashurisë së pakufi që kanë për sportin e basketbollit. Pasi ky sport i topkoshit, ka brenda rininë e më të mëdhenjve dhe rininë tonë, ka histori, ka mall dhe emocione, ka paharresë dhe kujtime, ka bukuri dhe muzikalitet, ka ritëm dhe freski, ka gjallëri dhe vlerë, ka, ka… E çfarë nuk ka.

Sot në Durrës, pra me 29 qershor 2018, hapet një ekspozitë kushtuar historisë së basketbollit. Me sa kam informacion, dyshja që edhe këto janë pjesë e historisë së basketbollit, Ilia Xhako dhe Mitrush Çumashi, janë promotorë, janë protogonistë, që kanë “grisur” xhepat e tyre për këtë histori fotografike. Imagjinoni miqtë e mi, se çfarë bëhet sot pasdite në Durrës dhe më tutje në mbrëmje vonë tek Goga Basket! 

Ishte ora 22.00 e pak, e mbrëmjes së kaluar, pra e datës 28 qershor 2018. Nga zilja e përtejme e telefonit dëgjova këto fjalë:

"Igli Goga jam. Dëgjo Bujar dhe mos ma prish këtë herë. Nesër (pra sot me 29 qershor), në orën 18.00 tek galeria "Nikolet Vasia", hapet ekspozita fotografike, mbi historinë e basketbollit durrsak. Bëj çështë e mundur, të ndodhesh atje. Më pas do të ikim të gjithë së bashku, tek tempulli ynë i basketbollit pallati i sportit "Dhimitraq Goga". Të kalojmë një darkë së bashku. Të përqafoj!"

Ishte më e shpejtë mbyllja e telefonit, se sa reagimi im. Brenda vetes u lumturova. Sa nevojë kemi për lajme të tilla! Sa nevojë kemi të mblidhemi, e të çmallemi me njëri tjetrin! Sa nevojë kemi që të kemi një artist ndërmjet nesh, si i jashtëzakonshmi Igli Goga, që të na mbledhë, të na shkundë paksa, për të na hedhur të tërin, në prehërin e ngrohtë të historisë dhe traditave tona sportive. 

Do të shkoj i thashë vetes. Do të shkoj të takoj Dhimitraq Gogën. Do të takoj edhe Bashkim Tagën, Napolon Llallën, Naun Llazon, Nar Golashin, Ramazan Njalën… E çfarë nuk do të takoj. Do të gëzohemi. Do të ndjejmë lumturi. Do të ndjejmë atë që na mungon. Takimi dhe ngrohtësia ndërmjet shokësh dhe miqsh, është më shumë se një bukuri shpirtërore. Do të shkoj, e të takoj traditën dhe historinë tonë dhe ti “përqafoj” ato.

Të çmallem me to. Të tundem dhe të kolovitem, në muzikën e memories. Oh sa dëshirë kam, që të nxitoj në këtë pasdite tek të mijtë, tek artistët dhe mjeshtrat e topit durrsakë të basketbollit. 

Sot do të gëzojmë. Do të qeshim, por mbase, nuk do ti përmbajmë edhe lotët.

Më prit o Dhimitraq Goga! Sot ti ke, 93 vjetorin e lindjes. Ti sot… Po, po, ti sot… Dhimitraq Goga u ngjall! 

Jetë të gjatë basketbollit durrsak dhe historisë së tij! 

Sa mirë kështu!

Bujar Qesja-Mjeshtër i Madh

  • Foto 1 Dhimitraq Goga
  • Foto 2  70 vjetori i lindjes së Dhimitraq Gogës. Në të majtë: Aleksandër Gorea, Spiro Urumi, Naun Llazo, Ramazan Njala, Dhimitraq Goga dhe Krenar Golashi.
  • Foto 3  Lokomotiva kampione në basketboll. Viti 1955. Në ballë kapiteni i skuadrës Dhimitraq Goga.
  • Foto 4  Pallati i ri i sportit Dhimitraq Goga.
  • Foto 5  Arkitekti i basketbollit të sotëm durrsak Igli Goga.