Kanë kaluar disa ditë nga zbatimi i vendimit më të fundit të bashkisë Durrës, për ndalimin e qarkullimit në orët e mbrëmjes në bulevardin “Epidamn” si dhe kufizimin e qarkullimit të mjeteve të transportit të mallrave në unazën e vogël të qytetit nga ora 08.00-23.00.

Mbi ecurinë e deri tanishme dhe mbështjetjen (ose jo) nga shoferët e qytetarët, u pyet nga “DurrësLajm”, drejtori i Policisë Bashkiake Durrës, Vasip Çopa.

Ai bën të ditur, se përgjatë datave 1-3 gusht, në bulevardin “Epidamn”, të kthyer tashmë në një pedonale, 3 mjete janë larguar me karrotrec, ndërsa janë ndëshkuar me masë administrative drejtuesit e 19 mjeteve, që nuk kanë larguar në kohë mjetet e parkuara në këtë aks.

Në 3 ditët e para të muajit gusht, në zonën e Unazës së Vogël të qytetit, në akset rrugore ku ndalohet qarkullimi i mjeteve të transportit të mallrave (ATP) nga ora 08:00 deri në 23:00, janë ndëshkuar me masë administrative drejtuesit e 29 mjeteve.

Pas kërkesës së parashtruar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës, e cila më herët kërkoi zbutjen e fashës orare të kufizimit të mjeteve ATP, disa prej këtyre të fundit po pajisen me autorizim nga bashkia e qytetit bregdetar.

Deri më tani, janë pajisur me autorizim 4 distributorë, të cilëve u është bërë edhe një “tolerancë kohore”.

Të autorizuarit në këtë rast, mund të shpërndajnë mallra nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në 09:00 të mëngjesit.

Por si mund të pajiseni me autorizim?

DurrësLajm” ka mësuar, se të gjithë bizneset e interesuara mund të paraqesin kërkesën e tyre për t’u pajisur me autorizim, por do të jetë bashkia ajo që do të vlerësojë dhënien ose jo të lejes përkatëse.

Në tërësi, sipas drejtorit të Policisë Bashkiake këto masa të marra me qëllim normalizimin e trafikut, kanë pasur një impakt pozitiv në komunitet.

Ndonëse në bulevardin ‘Epidamn’ ka pasur pakënaqësi, që vinin kryesisht nga rezidentët, prej pamundësisë për të parkuar si zakonisht pranë banesave të tyre, opinioni i përgjithshëm është që ishin masa që duheshin ndërmarrë”,- thotë ai.

E ndërsa jemi në pikun e sezonit veror, në muajin ku popullsia në qytet dy a trefishohet e si rrjedhojë edhe numri i automjeteve shtohet e trafiku mbingarkohen prej këtyre të fundit, këto ndalime duket se kanë dhënë rezultatet e pritura.

Ajo që vëmë re, është se nuk ka pasur trafik aq të rënduar sa në të njejtën periudhë të një viti më parë”, përfundoi Çopa.