Kufizimi i qarkullimit të mjeteve të transportit të mallrave, furgonave të shërbimit, si dhe të gjitha automjeteve të tjera të transportit të mallrave (ATP) për periudhën nga data 01 gusht deri më datë 15 Shtator 2023 prej orës 08:00 – 23:00 në akset rrugore të qytetit të Durrësit ka krijuar problematika për distributorët.

Sipas kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Artan Luku, shpërndarja e mallrave thuajse është pezulluar këto dy ditë, për shkak se bizneset janë gjetur të papërgatitur, pasi nuk janë njoftuar më parë nga autoritetet vendore.

“Burimet njerëzore të kompanive nuk janë përgatitur për një situatë të tillë, që do të kishin një ndalim kaq drastik të mjeteve ATP, krahasuar kjo me vitet e kaluara, kur kufizimet kanë qenë vetëm për furgonat mbi 1.5 ton. Këtë vit janë ndaluar të gjitha mjetet nga 300 kg deri në 3.5 ton. Kjo ka bërë që distribucioni i produkteve të ndryshme ushqimore dhe industriale të mos funksionojë gjatë këtyre dy ditëve. Këto dy ditë kompanitë kanë negociuar me punëmarrësit në lidhje me fashat orare, pasi punëmarrësit nuk kanë pranuar të punojnë turni i tretë”,- tha Luku.

Për të zgjidhur këtë ngërç për biznesin, Dhoma e Tregtisë Durrës do t’i drejtohet bashkisë me propozime konkrete për të ndryshuar fashën orare të kufizimit të qarkullimit të mjeteve.

“Masat zbutëse që ne propozojmë nisin që nga fasha orare, që na duket e pamundur të implementohet. Do kërkojmë edhe tolerancë për mjetet ATP, që kanë tonazh të ulët 400-500 kg. Ky urdhër që është nxjerrë është i pamundur të implementohet, pasi Policia Bashkiake dhe të gjitha strukturat  e tjera do hasin në vështirësi të papërballueshme”,- tha Luku.

Duke nisur nga data 1 gusht, bashkia Durrës ndërmori hapa konkrete për të lehtësuar trafikun në qytet dhe për të kthyer në pedonale, një nga bulevardet më të rëndësishëm të qytetit. Muaji gusht është një nga periudhat më të ngarkuara të vitit përsa i përket trafikut, për shkak të rritjes së konsiderueshme të popullsisë për shkak të sezonit veror dhe kthimit në atdhe të emigrantëve. Bashkia bllokoi qarkullimin dhe parkimin e mjeteve në bulevardin “Epidamn”, përgjatë fashës orare 19.00 – 23.00, si dhe kufizoi qarkullimin e mjeteve të transportit të mallrave në akset kryesore.

M.B.