SPAK ka nisur zyrtarisht hetimet lidhur me ngjarjen e ndodhur këtë të hënë në Kuvend.

Gjykata e Posaçme ka kërkuar sekuestrimin e pamjeve filmike pas kallëzimit të bërë nga mazhoranca për deputetin e opozitës Bledion Nallbati. Mësohet se prokuror i çështjes do të jetë Elvin Gokaj.

Edhe opozita ka hartuar kallëzim penal ndaj Vullnet Sinën, madje e akuzojnë se provokoi dhe goditi për shkak të detyrës deputetin demokrat.

Më herët, duke folur për kallëzimin e PD ndaj tij, socialisti Vullnet Sinaj tha se nëse SPAK do e thërrasë, do të paraqitet, pasi nuk ka frikë nga ata.

Sinaj theksoi se ishte deputeti Nallbati, i cili e goditi, por ai e priti grushtin me dorë.

‘Nëse SPAK më thërret do të shkoj. Nuk kam frikë nga drejtësia. Aty janë videot e se u kam pritur me dorë grushtin. Ai ka goditur por unë  e kam pritur me dorë. Ndodhi ai incident që ndodhi. Mund të ndodhte dhe me një koleg tjetër. Si deputet them se duhet të ketë komision dhe për Berishën.’- tha Sinaj.

Kujtojmë se ditën e sotme kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi njoftoi kallëzimin penal ndaj deputeti demokrat, Bledion Nallbati, pas episodit që ndodhi tre ditë më parë në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku ky i fundit sulmoi fizikisht kolegun socialist Vullnet Sinaj.

Ai theksoi se socialistët nuk do të tolerojnë asnjë akt dhune, duke ftuar organet ligjzbatuese të bëjnë punën e tyre dhe t’i shkojnë deri në fund ngjarjes së 30 tetorit.