Vit pas viti rriten shifrat e fëmijëve dhe adoleshentëve të prekur nga diabeti. Dr. Eduart Spahiu i cili është një nga tre specialistët endokrinologë në Durrës bën të ditur se diabeti tek kjo moshë ka krijuar një situatë alarmante dhe shumë shqetësuese për mjekësinë, familjen dhe shoqërinë. Dr. Spahiu i referohet të dhënave nga konferencat ndërkombëtare dhe atyre kombëtare lidhur me statistikat e bëra publike, të cilat tregojnë se diabeti ka nisur të ngjisë shkallët e tabelës së prekjes së popullatës nga sëmundjet e ndryshme.
Prevalenca e diabetit tek të rriturit në botë ka arritur shifrën 6.4 përqind të popullsisë, ndërsa në vendin tonë kjo prevalencë në pohime zyrtare është 4.2 përqind. Por endokrinologu Spahiu thotë se në vendin tonë statistikat e të prekurve nga diabeti janë më të larta. Në pohimin e tij ai mbështetet tek mospasja e një vetëdije qytetare për t’u diagnistikuar në kohë, sapo tek individi manifestohen shqetësimet e para shëndetësore. Spahiu bën të ditur se gjatë vitit 2010 rezultojnë të diagnostikuar me diabet 250 milion persona në të gjithë botën.
Por kjo shifër nuk është aq kanosëse nëse specialistët e kësaj sfere nuk do t’i kishin bërë parashikimet për 20 vitet e ardhshme. Nga të njëjtat burime të Organizatës Botërore të Shëndetësisë mësohet se gjatë vitit 2030 numri të prekurve nga diabeti do të shkojë në 430 milion njerëz, apo dyfishi i atyre që janë të kartelizuar tashmë. Të njëjtin rrisk në rritjen e të prekurve nga diabeti e ka edhe vendi ynë veçanërisht pas viteve 1990. Ndërsa mosha më e rriskuar është ajo mbi 40 vjeç, mjekët specialistë kanë vënë re se shumë të rrezikuar janë edhe grupmoshat e vogla, nxënësit e ciklit parauniversitar si dhe të rinjtë.
Fëmijët diabetik
Ndryshimi i cilësisë së jetës është faktori kryesor që ka ndryshuar shifrat e diabetikëve krahasuar me 20 vite më parë. Dr. Eduart Spahiu shprehet se prevalenca vjen gjithnjë duke u rritur, duke u shtuar, dhe këtu ndikon në masë të madhe ndryshimi i stilit të jetesës. Specialisti pohon se shqetësim tashmë nuk është prekja nga diabeti gjithnjë e më shumë e moshës së rritur, por edhe e fëmijëve.
“Vitet e fundit është bërë studim shkencor dhe është parë që në moshat e vogla deri në adoleshencë gati 30 për qind e femrave janë obeze dhe 20 përqind e djemve gjithashtu. Këto janë shifra alarmante”,- thotë Spahiu. Çështja është tek mungesa e kujdesit dhe shpërfillja e një regjimi të rregullt në të ushqyer. Diabeti shfaqet përgjithësisht në dy forma dhe klasifikohet si diabet i tipit 1, ku përfshihen moshat deri në 35-40 vjeç dhe diabet i tipit 2 mbi këtë moshë.
Endokrinologu Spahiu tregon se më i frikshëm është pikërisht diabeti i tipit 2 tek moshat e reja. Ai thotë se në Durrës dhe në shkallë vendi me diabet të konstatuar ka edhe fëmijë të moshës 8-10 vjeç. “Kjo nuk është aspak karakteristikë e moshës dhe si për ata edhe për ne është mjaft problematike”,- vijon në arsyetimet e tij specialisti.
Mbipesha dhe dhjamosja, karakteristika këto që po vihen re gjithnjë e më shumë tek moshat e reja, bën që insulina e cila gjendet në organizëm ose hormoni që rregullon glukozën të mos veprojë si pasojë e dhjamosjes. Mosveprimi, sipas mjekëve, shkaktohet nga mbyllja e poreve. Shkaktarët kryesore të krijimit të situatave dramatike për moshën e vogël dhe të re vazhdojnë të jenë të ushqyerit jo në mënyrë të kujdesshme, efekti Coca-Cola, mungesa e aktivitetit fizik etj.
Fare pak fëmijë merren me aktivitete sportive, me ecje të përditshme dhe fiskulturë. Dhjamosja tek kjo moshë e bën shumë pasiv fëmijën, e tërheq nga aktivitetet e ditës, e step në matjen e cilësive dhe mundësive fizike duke e vendosur në pasivitet. Kështu çdo fëmijë diabetik lodhet shumë shpejt, ka frymëmarrje të fortë e të thellë, manifeston këputje të gjunjve dhe shenja të tjera, të cilat e veçojnë atë nga rrethi shoqëror. Veç fëmijëve, mjekët ngarkojnë me jo pak përgjegjësi familjen dhe shkollën faktorë shumë të rëndësishëm në udhëzimin e të vegjëlve për të bërë jetë cilësore.
Rritet numri i të prekurve
Rajoni sot i ka shifrat e të prekurve nga diabeti në nivelet 6 përqind, ndërsa specialistët janë të mendimit se kjo shifër është edhe 2 përqind më e lartë, duke marrë në konsideratë popullsinë e padiagnostikuar. Gjatë vitit 2011, në Shqipëri rezulton e prekur nga diabeti 4.2 për qind e popullsisë, ndërsa ISKSH, e cila i referohet vetëm pacientëve të siguruar, rezulton ta ketë këtë tregues në masën 2.4 përqind. D
iabeti ose sëmundja e sheqerit shkaktohet nga rritja e sasisë së sheqerit në gjak, ose ndryshe e glukozës, pasojë e mungesës së insulinës ose e mosfunksionimit të mirë të saj. Vlerat normale të glicemisë janë nga 70-110. Pacientët që këto vlera i kanë në nivelin 110-125 cilësohen prediabetikë, ndërsa mbi këtë shifër pacienti cilësohet i prekur nga diabeti.
Dr. Eduart Spahiu thotë se vlerat normale të glicemisë dy orë pas ushqimit ose të quajtura vlerat pas ngarkesës (e cila quhet e tillë pas testit me 75 gram glukozë në 250 ml ujë) nuk duhet të kalojë 140, ndërsa nga 140-200 vlerësohet si tolerancë e dëmtuar dhe mbi 1200 quhet diabet. “Në Durrës ka rreth 8000 diabetikë të kartelizuar por ne mendojmë se shumë të tjerë janë ende të padiagnostikuar dhe se diabeti ende është në fazën e fshehtë”,- pohon endokrinologu Spahiu.
Mjekët vënë re se qytetarët e çdo kategorie nuk tregojnë vëmendjen e duhur, marrin shumë kalori, me shumë yndyrna dhe shumë sheqer. Shenjat për të dalluar nëse është apo jo i prekur nga diabeti janë: etja e theksuar për ujë, urinimi i shpeshtë, rënia në peshë, turbullime, marrje mendsh, dhembja e kockave, këputje, dhembje e muskujve etj. Në vendin tonë para viteve 90 ka qenë prevalenca 0.9 përqind e të prekurve nga diabeti, kurse sot e deklaruar është 4.2 përqind.
Diabeti nuk trashëgohet
Në diabetin e tipit 1 përfshihen moshat e reja deri në 40 vjeç, kurse në diabetin e tipit 2 përfshihen moshat mbi 40 vjeç. Dr. Spahiu pohon se ka edhe diabet të shtatzënisë, diabet gestacional dhe forma të tjera që mund të jenë pasojë e sëmundjeve të ndryshme. Specialistët pohojnë se diabeti nuk është i trashëgueshëm, por kur gjen terren geni nxjerr kokë. “Baza familjare dominon kur gjen terren, kur stimulohet”,- thotë dr. Eduart Spahiu. Në të njëjtën kohë personat që kanë sëmundje të tjera shoqëruese, ata që konsumojnë alkool dhe që bëjnë një jetë jo aktive rrezikojnë të preken nga diabeti. Durrësi ka tre specialistë endokrinologë, të mjaftueshëm për të mbikqyrur ecurinë e diagnostikimeve dhe terapisë, ndërsa spitali ka dy kabinete shumë cilësore me standarte dhe parametra të klinikave perëndimore. Dr. Spahiu thekson se qytetarët neglizhojnë të bëjnë një ekzaminim të thjeshtë siç është matja e glukozës në gjak. Nëse qytetari e kryen testin sipas procedurave të referimit nuk paguan asnjë qindarkë, ndërsa po të shkojë në klinikë private paguan 200 lekë. Por testi bëhet edhe me aparatet e glicemisë, hemoglubotestet, test shumë i mirë dhe cilësor.
Mungon kultura mjekësore
Shqetësimi i mjekëve lidhet me mungesën e një kulture qytetare, pasi fare pak persona bëjnë rregullisht testin një herë në vit. “Një pjesë e madhe e qytetarëve diabetik konstatohen rastësisht, nga ekzaminimet që bëjnë për probleme të ndryshme, p.sh. në procedurat përpara operacioneve. Nga ky test rutinë shumë dalin me diabet”,- deklaron dr. Spahiu. Mjekët specialistë pohojnë se edhe një 20-vjeçar në mbipeshë duhet të bëjë testin, analizën, duhet të masë glukozën. Çdokush në mbipeshë, pavarësisht moshës duhet të jetë i shqetësuar nga frika e prekjes nga diabeti. Kur mjekët klasifikojnë një person me mbipeshë i referohen zakonisht raportit të peshës me katrorin e gjatësisë, që jep një indeks që quhet BMI. Nëse kjo është mbi 30 fillon mbipesha. Obeziteti, mbipesha, është e gradës I-IV. Që një obez të cilësohet i tillë kryhen matjet apo ballafaqohen treguesit me tabelën përkatëse. Diabeti tip 2 është më i shpeshti dhe mbulon 90 për qind të rasteve, ndërsa ai i tipit 1 është shumë më agresiv dhe kjo bën qytetarin të diagnostikohet shpejt pasi nuk i le shumë kohë. Trajtimi bëhet me insulin tek ky tip, kurse në tipin 2 trajtimi konsiston në dietë, aktivitet fizik dhe preparate kimike që mund të jenë tableta apo edhe insulinë. Diabeti dëmton organe të rëndësishme të trupit: enët e gjakut, të vogla e të mëdha, sistemin nervor etj. Diabeti është shkaku primar që çon të sëmurët në dializë, është shkaku kryesor i verbimit të pacientit, është shkaku i dytë pas aksidenteve dhe traumave, për amputacionin e këmbëve. Specialistët thonë se sa më shpejt të ndërhyhet në mjekimin e diabetit aq më mirë mund ta ruajmë cilësinë e jetës së përditshme. Nëse diabeti nuk mjekohet dhe nuk kontrollohet, i prekuri prej tij rrezikon të përballet me komplikacione të tjera që dëmtojnë organet kryesore jetike si zemrën, trurin etj.