Ta pranojmë: në futbollin modern nuk ka shumë vend për ndjenjat. Ka gjithmonë dhe më pak lojtarë flamur dhe ata pak që janë shpesh nuk trajtohen në mënyrën e duhur nga klubi. Për këtë arsye, historia e Marco Russ dhe Eintracht Frankfurt-it është kundër rrymës. Zëvendës kapiteni i klubit gjerman është diagnostikuar me tumor në testikuj majin e kaluar. Por nuk ka pasur kohë për t’u qarë sepse skuadra e tij duhet të zbriste në fushë një ditë më pas për ndeshjen e “play off”-it kundër Nuremberg-ut. Marco ka zbritur në fushë, me shiritin e kapitenit dhe shqiponjën në gjoks, por ka realizuar një autogol që mund ta kishte ndëshkuar skuadrën e tij. Një histori dramatike.
Në fund, Eintracht ka arritur të shpëtojë dhe Marco ka reaguar mirë ndaj kimioterapisë. Por në këtë histori ka pasur hapësirë edhe për ndjenjat, për ëmbëlsinë. Sepse Eintracht i ka ofruar Marco-s një kontratë të re, dhe ai e ka nënshkruar. Lajmërimi ka ardhur ditën e djeshme, pak orë para ndeshjes mes Frankfurt-it dhe Leverkusen-it, e fituar nga Eintracht me rezultatin 2-1. Kontrata e Marco, që skadonte deri në 2017-ën, është zgjatur deri në 2019-ën.
“Jam i gëzuar dhe krenar që mund të luaj këtu edhe për dy vite të tjerë, – ka thënë Russ. – Falënderoj klubin dhe trajnerin që më kanë mbështetur në një moment si ky. Ata që më njohin e dinë se sa i lidhur jam me këtë skuadër që, me përjashtim të një eksperience të shkurtër te Wolfsburg, përfaqëson gjithë jetën time si futbollist”. I rritur te të rinjtë e Eintrachti-t (me të cilët është bashkuar në moshën 11 vjeç), Marco ka debutuar me skuadrën e parë në 2004-ën, para se të kalonte, për vetëm 18 muaj te Wolfsburg dhe të kthehej përfundimisht në Frankfurt. Russ është një flamur për Eintracht dhe një shembull për shokët e skuadrës dhe tifozët.





