Paulo Dibala udhëhoqi Juventusin në fitoren e parë sezonale dhe të parën në Champions, me shiritin e kapitenit në krah. Numri 10 i bardhezinjve e nisi këtë sezon europian edhe me gol nga 11 metrat, i cili sipas argjentinasit, i shërben shumë për të vazhduar për të luajtur më i qetë.“Vinim nga një moment shumë i vështirë, nga disa ndeshje aspak të bukura. Rezultatet nuk na kanë shpërblyer, por e dinim se duke luajtur në një tjetër kompeticion, do të kishim atë nervin e duhur për të ndërruar drejtim dhe për të shpresuar që ky të jetë një fillim i ri.

Madje, jam i sigurt për këtë, pasi në Malmo bëmë vërtet një ndeshje të madhe, luajtëm të qetë që në fillim dhe e bëmë këtë duke vrapuar, bashkëpunuar dhe sakrifikuar si një skuadër e madhe. Tani duhet vetëm të ruajmë këtë ritëm dhe grintë, edhe në ndeshjen me Milanin në kampionat e në vazhdim”, bëri hyrjen Dibala.

Paulo, nuk shënonit në Champions që në 4 tetor 2020. E dinit?

Jo, por pa dyshim që goli më bën shumë të lumtur. Sot fituam dhe kjo është ajo që më kënaq më shumë se çfarëdo gjë tjetër.

Sa çlirues është goli për një sulmues?

Shumë, pasi nuk ishte një moment i bukur për skuadrën dhe me të tillë presion nuk është e lehtë që të luash këmbët në drejtimin e duhur. Për mua ishte një barrë që hoqa nga vetja duke shënuar, por mendoj se ia hoqa edhe skuadrës, pasi shkuam në 2-0 dhe e bëmë ndeshjen mjaft më të lehtë. Ishte një fillim i ri për ne dhe kështu duhet të vazhdojmë.

Sa e ndieni veten pjesë të projektit Juve?

Unë mundohem që të jap gjithmonë maksimumin. Të gjithë e dinë se sa jam i lidhur me këtë fanellë dhe me tifozërinë. Realisht, këtë sezon ndihem më i qetë në fushë, luaj më lirshëm dhe më pëlqen kjo gjë.

Si po shkon rinovimi me Juven?

Palët po flasin mes tyre dhe pa dyshim që pritja është e madhe. Unë shpresoj që të kemi një fund të lumtur për të gjithë, pasi unë dua që të vazhdoj të luaj për Juventusin, pasi kjo është shtëpia ime e dytë.