31 maj 2015 – 31 Maji u shpall në vitin 1987 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, si Dita Botërore pa Duhan, ditë kur në të gjithë botën organizohen aktivitete sensibilizuese  për dëmet që shkakton duhani, ky vrasës i madh.

Sipas të dhënave çdo vit, të paktën gjashtë milionë njerëz vdesin nga sëmundjet e shkaktuara nga duhani. Vetëm 8 për qind e popullsisë botërore jetojnë në ato vende ku taksat e duhanit janë mjaft të larta.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 600 mijë që janë jo duhanpirës vdesin duke pirë cigare të dorës së dytë.

Bima e duhanit e njohur me emrin “Tobaku” nga fiset Maja të Amerikës Qendrore, erdhi në Europë nga Francesko Pace, i cili në vitin 1492 e solli në Portugali. Më pas, këtë bimë, ambasadori francez ia dërgoi mbretëreshës së Francës Katerina de Medicini, e cila vuante nga migrena. Kjo bimë në fillim u quajt bima e “dehjes”.

Ajo u përhap shpejt në Europë dhe më tej në Turqi, Marok dhe deri në Japoni. Kështu, duhani para 4 shekujsh përdorej vetëm nga një numër i kufizuar njerëzish, ndërkohë që fillimet e shekullit XX nisi të konsumohej në masë. Specialistët shpjegojnë se gjatë ndezjes së cigares në tymin e krijuar prodhohen një numër shumë i madh lëndësh biokimike. Me teknikat e ndërlikuara bashkëkohore janë përcaktuar rreth 400 lëndë të tilla, 43 prej të cilave janë me përbërje kancerogjene. Në bazë të studimeve të bëra lëndët më të dëmshme janë ato me veprim të fortë kancerogjen si katrani e benzopireni.

Ndërkohë, krahas mënyrës tradicionale të pirjes së duhanit përmes djegies së tij, përdoret edhe përtypja me dhëmbë e gjetheve të lagura të duhanit, përmes të cilës nikotina kalon në organizëm. Njerëzit që pinë duhan janë më të prekshëm ndaj sëmundjeve. 55 sëmundje të ndryshme zhvillohen në mënyrë të menjëhershme nga pirja e duhanit.

Kështu në sistemin vaskular shfaqen rreth 13 sëmundje, në sistemin respirator rreth 15, në sistemin tretës 5 sëmundje, në sistemin nervor 5, në sistemin urogenital 10 sëmundje. /ATSH/

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/