Ashtu si në të gjithë vendin, edhe në Durrës sot vijon dita e dytë e vaksinimit të hapur për të gjithë personat mbi 18 vjeç. Ky proces është përqëndruar në dy pika, në sallën “Black box” në ambientet e shkollës artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës si dhe në Shijak.

Në një komunikim me drejtoreshën e Shëndetit Publik në Durrës, Aurora Hyka, “DurrësLajm” mëson se ditën e djeshme janë vaksinuar rreth 750 qytetarë.

Ndërsa ditën e sotme, nga përditësimi i të dhënave deri në orën 10:00 të paraditës, bëhet me dije se kanë marrë dozën 200 persona. Të vaksinuarit i përkasin të gjitha grupmoshave dhe aktualisht ata aplikojnë vaksinat Sinovac dhe Sputnik.

Sipas drejtoreshës Hyka është vënë re që gjatë ditës së djeshme dhe sot moshat e reja kanë treguar shumë interes për t’u paraqitur pranë qendrës së vaksinimit për të marrë dozën antiCovid.

Mosha e tretë nga ana tjetër zgjedhin të paraqiten në qendrat shëndetësore, duke mos patur prezencë të tyre një ditë më parë në ambientët e sallës së “Black box”. Prej në muajin mars, kur nisi fushata në Durrës e deri më tani janë vaksinuar në total 73 mijë qytetarë.