Kompania më e madhe në botë e prodhimit të prezervativëve, Karex, ka paralajmëruar për rritjen e çmimeve të këtyre produkteve deri në 30% ose më shumë. Arsyeja është shumë e thjeshtë: konfliktet në Lindjen e Mesme, pasi kanë shkaktuar shkaktuar tronditje të forta në tregun e lëndëve të para dhe në zinxhirët globalë të furnizimit.

Karex, me seli në Malajzi, prodhon më shumë se 5 miliardë prezervativë në vit, duke furnizuar marka të mëdha ndërkombëtare si Durex dhe Trojan, si dhe sisteme publike shëndetësore, përfshirë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor të Mbretërisë së Bashkuar (NHS).

Drejtuesi i kompanisë, Goh Miah Kiat, deklaroi në intervista për Reuters dhe Bloomberg se kostoja e prodhimit është rritur ndjeshëm që nga fillimi i konfliktit, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve që rrjedhin nga nafta. Ndër to përfshihen amoniaku, që përdoret për ruajtjen e lateksit, si dhe lubrifikantët me bazë silikoni.

Tregu global është ndikuar shumë pas reagimit të Iranit ndaj sulmeve ajrore të SHBA-ve dhe Izraelit, me kërcënime për shënjestrimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit. Kjo rrugë detare është një kalim kyç për rreth 20% të tregtisë globale të naftës bruto dhe gazit natyror të lëngëzuar, si dhe produkteve të tjera petrokimike.

Rritja e kostove të transportit dhe vonesat në dërgesa kanë çuar tashmë në një rritje të kërkesës për prezervativë me rreth 30% gjatë këtij viti, sipas kompanisë.

Siç theksoi drejtuesi i Karex për Bloomberg, në periudha pasigurie konsumatorët bëhen më të kujdesshëm në planifikimin familjar, pasi “nëse sjell një fëmijë në jetë në një periudhë pasigurie, rriten edhe shpenzimet që duhet të përballosh”.