Një pensionist që merr aktualisht 9.600 lekë pension mujor, me shtesën 5 për qind që do të aplikohet do të marrë 500 më tepër.

Dy ekspertë të njohur si Teuta Nunaj dhe Igli Tole kanë folur për të rejat më të fundit për problematikat e pensioneve, rritjen e tyre, propozimet nga opozita dhe për rritjen e pagave.

Tole, si fillim komentoi propozimin nga opozita për pensionet. “Problemi duhet parë shumë më gjerë, nevoja është madhe sepse jemi në kushtet kur një pension mesatar në qytet ose në vendet rurale nuk e kalon vlerën 180 euro që është larg minimumit jetik.

Nevoja është e madhe, por kur flasim për rritje pensionesh, duhet parë më gjerë, sa është mundësia buxhetore.

Ne sot kemi skemën “pay as you go”, pra sot kontribuues janë të punësuarit për pensionistët që janë aktualisht. Kjo skemë e ka suksesin tek mbulimi i lartë, të pasurit kontribues për pak përfitues.

Më para ka qenë e përballueshme sepse ishim 4 ose 5 kontributor për një pensionistë, por largimi masiv i të rinjve dhe e krahut të punës ka bërë që të jetë raporti 1.1 kontributor për një pensionistë.

Çdo vit për të përballur këtë disbalancë vjen nevoja që skema sociale e pensionit të mbështetet nga një transfertë që vjen nga buxheti shtetit dhe kjo sa vjen edhe shtohet.

Është e vështirë rritja, por nëse do bëhej një menaxhim më i mirë i të ardhurave, sepse po dëgjojmë probleme për PPP dhe koncesionet, pra nëse do ishte një menaxhim më i mirë atëherë mund të kishte përmirësim dhe një rritje”, tha Tole.

Rritje pensionesh

I pyetur nëse do të ketë rritje pensioni, me rritjen e pagave, ai tha se: Po, por nuk besoj se do të jetë e përballueshme për të përballuar rritje pensionesh. Problemi është në volum sepse e kemi më pak të punësuar dhe mund të duket se kjo e zgjidh, por jo është shumë më e gjerë problematika. U diskutua rritja e pagave për administratën publike në dy faza. Faza e parë u aplikua në vitin e kaluar dhe pretendohet se në muajin maj, besoj se në prill do të bëhen specifikimet e nevojshme. Është diçka e mirë, sepse nuk është një rritje me 2 ose 3 për qind por me e konsiderueshme. Për pagën 700 ose 800 euro se di sa e arritshme do të jetë, sepse u propozua vitin e kaluar dhe të ardhurat ishin më të larta dhe pritshmëritë u bënë mbi atë vlerë, shohim që këtë vit ka një frenim të konsumit, një rritje të çmimeve dhe kemi po ashtu edhe një pakësim të popullsisë bënë që ai trendi vjetshëm të mos jetë këtë vit dhe mundësit buxhetore të mos jenë të shumta. Ngelet për tu parë. Faza e parë u aplikua, kurse këtë vit duket sikur nuk ka iniciativa ligjore dhe vendimmarrje për ta shtyrë ose për ta vënë në zbatim këtë propozim”, u shpreh ai.


Propozimet nga opozita
Nga ana tjetër, ekspertja Teuta Nunaj thotë se skema e pensioneve duhet që të funksionojë mbi një logjikë ekonomike. “Unë jam pro rritjes së pensioneve, por nuk është kjo forma e duhur duke bërë një ligj për të rritur pensionet, pasi nuk ka argument ekonomik. “Ne kemi një projektligj nga PD për rritjen e pensionit në mënyrë progresive dhe faza e parë fillon përmes vendosjes së një pensioni minimal dhe ata propozojnë që për çdo vit të ketë një rritje 3 mijë lekë të vlerës duke arritur në një vlerë totale që të jetë 300 euro një pension minimal. Në analizën time unë kam qenë kundër rritjes së pensioneve përmes një vullneti politik, pra rritja e pensionit me vendim qeverie, kjo e bënë skemën të ndarë në dy pjesë. Pensionistët bëhen të varur nga vullneti politik, pra është qeveria që e ka në dorë nëse do ose jo ta rrisë pensionin minimal. Unë kam thënë që nuk duhet të ketë ndikim nga politika, në këtë mënyrë ruhet dinjiteti i pensionistëve që nuk do jenë në pritje të vullnetit të qeverisë, pra kemi zgjidhje ose nuk kemi këtë vit, duam ose nuk duam të japim, ta lëmë në fillim ose në fund të fundit. Skema e pensioneve duhet që të funksionojë mbi një logjikë ekonomike. Unë jam pro rritjes së pensioneve, por nuk është kjo forma e duhur duke bërë një ligj për të rritur pensionet, pasi nuk ka argument ekonomik”, tha ajo.

Ndryshimi i skemës aktuale të pensioneve

E pyetur nëse ka hapësira për rritje pensionesh, ekspertja tha: Po ka një hapësirë rritje, unë pjesën e rritjes do ta lidh me treguesit për të pasur rritje të qëndrueshme. Nëse duam që ta ndryshojmë skemën aktuale nuk mund të vij përmes një propozimi sepse ata kanë propozuar si vlerë pensioni minimal dhe baza është 18 mijë lekë, por ky nuk është argument ekonomik, sepse nuk vendoset pensioni minimal mbi bazën e një minimumi jetik sepse pensioni mesatar është si totali i pensioneve që jepen pjesëtim për numrin e pensionistëve që mund të ndryshoj nga viti në vit. Ne në vitet e ardhshme ne do të kemi një problematikë sepse do të kemi individë që nuk kanë deklaruar pagat e tyre të plota dhe individë që nuk kanë paguar sigurime shoqërore.

PD duhet që të kërkoje që të monitorojë procesin e reformës, pasi kur flasim për një reformë efektet ajo i ka pas 5 ose 6 vitesh”. Gjithashtu, Nunaj ka folur sa i takon qasjes së mazhorancës për një rritje ambicioze të pagave. U fol për rroga 900 euro, por a mund të ishte e njëtrajtësuar kjo rritje edhe me pensionet? “Qeveria e kishte si objektiv të buxhetit për 2024 rritjen e pagave, flitet për sektorin publik në vlerën 900 euro. Nga deklaratat e ministrit të Financave parashikohej se ajo vlerë page të realizohej brenda fundit të vitit. Unë kam qenë në vijueshmëri të të njëjtës logjik që rritja e pagës nuk e gjykoj se ka të bëjë me reformë page sepse ajo duhet shoqëruar me reformën e burimeve njerëzore, duhet rritje page me produktivitet, pra ai punonjës që do marr një pagë më të lartë duhet që të ofrojë një punë më me rendiment të lartë”, tha ajo.

Sa i takon informaliteti, a është faktor që i mban pensionet e ulëta, ajo tha se: Nuk mendoj se pensionet janë të ulëta dhe ka lidhje me mosdeklarimin e pagave minimale. Lidhja është e drejtëpërdrejtë me atë që sot është kontribues dhe atë që nesër do dal në pension. Duke mos deklaruar pagën e plotë, ai deklaron pagë të pjesshme dhe kontributet që ai derdh janë të pjesshme dhe kjo do sjell që në fund do ketë një pension shumë të vogël. Qytetarët duhet që të ndërgjegjësohen dhe biznesi duhet të këtë në interesin e tij që të deklaroj pagën e plot sepse ai nuk merr produktivitet që do nga punonjësi, sepse ai është i pakënaqur.

Çfarë do të ndodhë nga 1 prilli

Ekspertja foli dhe për ndryshimet e pensioneve nga 1 prilli, për pjesën që të gjithë pensionistët do ta marrin në bankë. “Mendoj se nuk do të jetë e lehtë. E para lidhet me aftësinë e individëve për të përdorur teknologjinë dhe mundësinë që do të ketë sektori bankar për ta ofruar këtë shërbim të tyre.

Nuk do të ketë një shtrirje në të gjithë vendin fillimisht, sepse është e pamundur, pasi edhe nga ana e sistemit bankar do të duket një numër i shtuar personeli. Ka individë që nuk shkojnë dot për ta tërhequr pensionin në bankë dhe mund t’ja japin kartën një të njohuri, pra nuk mund ta zhdukim këtë fenomen, por gjykoj që mund të minimizohet ose mund të ulet”, përfundoi ajo.