Trajneri i Teutës, Enkelejd Dobi, ka theksuar se humbja ndaj Elbasanit ishte e pashpjegueshme sipas tij.“Ndonjë përgjigje të saktë nuk ka, se po të ishte, do të ishim shumë të zgjuar. Por aq të zgjuar nuk jemi sa për ta parë futbollin se çfarë ndodhi. Bëmë më të vështirën që shënuam të parën, donim të mbanim rezultatin e vazhdonim. Ndonjëherë nuk ka shpjegime për disa gjëra që ndodhin në futboll. Por nëse duhet të analizosh, nuk duhet të ndodhë që të pësosh dy gola brenda 3 minutave në tranzicion, më të saktë do jemi kur të bëjmë analizën. Një lojtar mes tre të tonëve dhe i shkon topi… Nuk kam tani fjalë që të them, jemi të gjithë të zhgënjyer nga rezultati. Ndoshta në pjesën e parë nuk shkoi si e përgatitëm, por nuk ishte ndeshje e dobët nga ne, kishte momente të sakta. Në pjesën e dytë bëmë korrigjime, mendoj që filluam të dilnim më mirë me qarkullim topi e agresivitet. Por shënuam të parët e këtu duhet të jemi më shumë të qëndrueshëm e më të përgjegjshëm, më të vëmendshëm dhe kjo na vret se duhet pranuar se 10 ndeshje radhazi, ai vetëbesimi… Në fund rezultati është i rëndësishëm. Rezultati nuk është në anën tonë. Mund të themi pa fat, por duhet ta punosh e tërheqësh fatin nga vetja si magneti. Ka diçka që nuk shkon, por çunat punojnë, nuk mund t’i fajësojmë. Por kemi prishur disa ekuilibra që duhet të rindërtojmë e kjo shihet. Më vjen keq për ekipin, se nuk meritonim humbjen, minimumi ishte barazimi për mënyrën se si interpretuam lojën e si luajti Elbasani. Por ja që rezultati është i rëndësishëm dhe ai është për Elbasanin e jo për ne.
Nëse do e shohim në 15 minutat e parë duhet të shënonim, shtylla përsëri na dënon. Për kundërshtarët hyn e për ne jo. E kishim ne rastin e parë. Rrjedha e lojës do bëhej tjetër, etj. Kur mora Votlain i thashë që të ishte në ekuilibër, para mbrojtjes, të mbulonte zonat e lira, vendet boshe në mesfushë e mbrojtje. Po të shohim golin e dytë, atij i hyn topi mes shalësh, në limit pozicioni jashtë loje, çdo gjë është kundër nesh… Ky është futbolli, po e vuajmë. Krijuam volum, janë situata që kemi krijuar deri në zonë, por kemi vuajtur për finalizimin apo situata të tjera. Situatat i krijuam, por ja ky është futbolli, ndonjëherë nuk është me ne. Nuk po ia vë fatit, po ia vë psikologjisë, nuk është fizike se djemtë vrapuan deri në fund, është diçka që duhet dalë nga ky ngërç. Punojmë çdo ditë, por kemi vuajtur pak besimin.
Nuk i kemi lojtarët që të nisim nga fillimi, se kanë ardhur me vonesë, nuk i dimë përgatitjet, ka që kanë luajtur të fundit me 30 nëntor. Donim një 9-sh që kur të dilnim të kishim pikë referimi. Por ndonjëherë mendimi nuk del si duhet ndaj reaguam në pjesën e dytë, në fillim po shkonte siç e donim, pastaj e humbëm pak. Ishim me vonesë në atë lloj presingu se edhe Runei ka nevojë për kohë”, tha Dobi.





