14nentor 2015 – Teatri Bataclan ku u shënua numri më i madh i viktimave të masakrës së 13 nëntorit ka qenë prej vitesh në shënjestër të terroristëve për shkak të lidhjeve me komunitetin ebraik të Parisit.

Në shkurt 2011 gazeta ‘Le Figaro’ shkruante se Drejtoria Qendrore e Inteligjencës për Punët e Brendshme (DCRI) kishte përgjuar një bashkëpunëtore të terroristëve kaedistë me emrin Dodi Hoxha të thoshte se “ka një plan për të goditur Bataclan-in“, plan i përgatitur nga Farouk Ben Abbes – raporton DITA.

Një tjetër person nën hetim Fatima F., ishte përgjuar duke justifikuar aksionin kundër teatrit në fjalë, sepse “kishte pronarë hebre”.

Shërbimet franceze kishin nisur përgjimin e disa të dyshuarve përfshirë Dodi Hoxhën pas një atentati në shkurt 2009 kundër një souk-u që frekuentohej nga turistë të rinj francezë në Kajro, ku u vra një 17 vjeçar dhe u plagosën 24 persona.

Në maj 2009, u arrestuan disa të dyshuar, ndër të cilët edhe francezja me origjinë shqiptare Dodi Hoxha – raporton DITA.

Kjo qytetare franceze sipas hetuesve ishte veçanërisht e afërt me kapon e celulës së Al Kaedas që vepronte në Rripin e Gazas, Khaled Moustafa.

Hoxha mohoi të ishte përfshirë në atentatin e Kajros dhe deklaroi në gjyq që ishte viktimë e një “shplarje truri” .

Edhe në 2007, Bataclan mori kërcënime nga terroristët.

Arkitektura e Bataclan të kujton një pagodë kineze, ndërsa emri vjen nga një opera e Jacques Offenbach.

Ka qenë prej kohësh teatër, kinema dhe sallë koncertesh, ku kanë performuar më të mirët e muzikës së djeshme dhe të sotme: Lou Reed, Oasis, Stromae, The Kills, Téléphone e Fauve.

Tashmë është bërë simbol i zisë dhe terrorit. / Dita /