18 shtator 2015 – Në krye të Doganës së Durrësit do të jetë Eranda Cuci, e cila do të zëvendësojë në këtë post drejtorin Edison Konomi.

Burime të brendshme pranë doganës bëjnë me dije për portalin “DurresLajm” këto ndryshime në administratën doganore. Sipas të njëjtave burime, mësohet se Cuci ka nisur punën që ditën e enjte më 17 shtator, ndërkohë që pritet që në ditët në vijim të bëhet dhe emërimi zyrtar nga Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Pranvera Fagu Behushi, një tjetër durrsake e emëruar në Doganën Shqiptare.

Eranda Cuci vjen nga një eksperiencë e gjatë mbi 20-vjeçare në fushën e doganave. Pas mbarimit të Fakultetit Ekonomik, znj. Cuci ka punuar në sistemin doganor duke shërbyer në degë të ndryshme të Drejtorisë së Doganave, si në Durrës, Berat, Bajzë, edhe në Tiranë. Ka kryer trajnime të ndryshme të ofruara nga misionet e asistencës së partnerëve ndërkombëtarë, si p.sh., Divizioni XXI KAM Albania, EU CAFAO, etj., për shërbimin doganor shqiptar, duke u diplomuar ndërmjet të tjerash, për nomenklaturën e mallrave, origjinën e mallrave, akcizën.

Në Doganën e Tiranës, Cuci u emërua në vitin 2013, pak pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste. Madje në atë kohë, emërimi i saj bëri zhurmë në media, pasi demokratët e konsideruan si shfaqje të hapur të nepotizmit, kjo për shkak të lidhjeve familjare që ka Cuci me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja. Znj. Cuci është kunata e ministrit, motra e gruas së tij.

Tashmë pas largimit nga Dogana e Tiranës, Cuci do të drejtojë një tjetër doganë të rëndësishme në vend, atë të Durrësit.

Sakaq, për drejtorin Konomi mësohet se është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganës në Tiranë. Edison Konomi, ish-deputeti socialist ka qenë drejtues i degës së Doganës në Durrës për afro dy vjet, që prej 7 tetorit të vitit 2013.

/S.L. portali DurresLajm/