Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, është paraqitur ditën e sotme në SPAK.

Pas daljes, Dogjani tha se institucionet e drejtësisë po fokusohen te një apartament që ai zotëron që prej vitit 2006.

Sipas tij, kjo është një përpjekje për të mbyllur gojën opozitës dhe për të larguar vëmendjen nga skandalet qeveritare.

“Ndërkohë që SPAK duhet të merret me vjedhjet e Edi Ramës, Erion Veliajt, ministrave, dhe drejtorëve të mëdhenj e të vegjël që nuk dinë ku i kanë pasuritë, hotelet, motelet, jashtë dhe brenda Shqipërisë, me para pa fund, merret me apartamentin tim, në të cilin jetoj që nga viti 2006 me tre fëmijë, 100 metra katrorë, këtu afër.

Në vitin 2006 unë nuk kam pasur asnjë pozitë juridike dhe asnjë detyrim për të deklaruar pasuri, as si zyrtar e as si jozyrtar. Madje, nuk kam pasur as fantazinë se një ditë mund të bëhesha deputet, sepse nga viti 2006 deri në 2009 janë tre vite.

Kjo mënyrë sesi Edi Rama po lufton opozitën, kjo mënyrë që ai përdor për të mbyllur gojën e kundërshtarëve, më motivon akoma më shumë”, tha Dogjani.

Ai tha se ka kërkuar pushimin e çështjes dhe shprehet se gjykata do të vendosë në datën 22 janar.

“Kam kërkuar pushimin e çështjes, pasi nuk ka vepër penale. Gjykata do të shprehet më datë 22”, u shpreh Dogjani.