87 fotografi me ngjyra dhe një film bardh e zi prej 4 minutash, pjesë e “Arkivit të Planetit”, të Albert Kahn-it në Paris, sollën në Durrës një Shqipëri ndryshe, një realitet shqiptar të 100 viteve më parë, parë në këndvështrimin e një fotografi dhe një gjeologu francez. Ambasada franceze në Tiranë mundësoi realizimin e dokumentarit “Shqipëria 1912…”, të bazuar në fotot e rralla të arkivit të Albert Kahn.
Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, kjo ishte një dhuratë për Shqipërinë nga Ambasada franceze që do t’i shkojë Qendrës së Studimeve Albanologjike. Dokumentari i realizuar nga Eol Çashku tërhoqi vëmendjen e mjaft qytetarëve durrsakë si dhe drejtuesve lokalë, që e ndoqën atë nga salla e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Dokumentari hapej me një video të shkurtër 4 minutëshe bardh e zi të realizuar nga ekipi francez në një nga rrugët e qytetit të Shkodrës.
Përmes imazheve bardh e zi përcillej Shqipëria e asaj kohe, grupet shoqërore të saj, veshjet dhe traditat, mjetet e punës. Është interesante sesa domethënëse bëhet një video mjaft e shkurtër, por që sjell një informacion të hollësishëm për mënyrën e jetesës së atyre viteve. Në videon e grupit francez parakalonin njerëz të thjeshtë dhe pasanikë, klerikët e kohës, artizanët vendas e tregtarët, gratë e mbuluara me ferexhe, të shoqëruara nga fëmijët e vegjël, qerret e tërhequra nga kuajt, me pak fjalë një qytet në lëvizje, banorë që nxitojnë të kryejnë veprimtarinë e tyre të përditshme.
Ndërkohë në fotografitë me ngjyra vëmendja e fotografit dhe gjeologut francez ishte përqendruar më tepër tek njerëzit dhe pamje të ndryshme të godinave dhe rrugëve në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Albert Kahn i krijoi “Arkivat e Planetit”, pasi kishte ambicjen të dokumentonte historinë dhe të fiksonte në kujtesën filmike mënyrën e jetesës dhe zakonet e shoqërive më të mbyllura përpara se e gjitha kjo të zhduket përballë globalizmit që po shfaqej në fillim të shekulit XX.
Në këtë mënyrë ai dërgon gjeografët dhe fotografët e tij në rreth pesëdhjetë vende të Evropës, Azisë dhe Afrikës. Në vitin 1913 Jean Brunhes, gjeograf i njohur, dhe August Léon, fotograf me shumë famë, mbërritën në Shqipëri për një mision prej pesë ditësh.