Florida ka konfirmuar vdekjen e parë nga ‘Ethet e Dengues’ këtë vit, ndërsa shteti po përballet me një nga shpërthimet më të mëdha të sëmundjes në dekadat e fundit. Rasti fatal u regjistrua në kontenë Hillsborough, në zonën e Tampa-s, ku janë raportuar 134 raste të transmetuara lokalisht, ndërsa në të gjithë Florida-n, numri i rasteve të tilla ka arritur në 152. 

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, autoritetet shëndetësore nuk kanë publikuar fillimisht detaje për personin që humbi jetën, ndërsa raportimet lokale e identifikojnë viktimën si një grua 80-vjeçare nga Tampa, e cila ndërroi jetë më 4 shtator. Dengue transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe, në rastet e rënda, mund të shkaktojë komplikacione serioze.

Shpërthimi është përqendruar kryesisht në Hillsborough County, ku autoritetet kanë shtuar kontrollet dhe trajtimet kundër mushkonjave. Ethet e dengues zakonisht shkaktojnë temperaturë, dhimbje koke, të përziera, skuqje dhe dhimbje muskujsh ose kyçesh, ndërsa një pjesë e rasteve mund të zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes.

Sipas të dhënave të fundit, 2026 është tashmë viti me numrin e dytë më të lartë të rasteve të dengues të transmetuara lokalisht në Florida, pas vitit 2023. Autoritetet po u bëjnë thirrje banorëve të shmangin grumbullimet e ujit të ndenjur, ku mund të shumohen mushkonjat.