Prishja e koalicionit “Semafor” në Gjermani, të përbërë nga SPD, FDP dhe Të Gjelbrit, mbetet një temë e diskutimit në opinionin publik. Një dokument i ri, që ka rrjedhur nga radhët e FDP-së, ka ngritur sërish tensione mes partive.

Bëhet fjalë për një dokument të brendshëm të FDP-së, i publikuar në disa media gjermane, ku diskutohej në detaje për mundësinë e daljes së partisë nga koalicioni qeverisës në Gjermani.

Dokumenti strategjik i brendshëm, me tetë faqe, përmendte, ndër të tjera, kohën ideale kur FDP-ja duhet të largohej nga koalicioni.  Ndër të tjera, thuhet se largimi nga koalicioni mund të ndodhte në fillim të javës së 45-të, që vlerësohej si momenti ideal.

Koalicioni u shpërbë më 6 nëntor, kur kancelari gjerman, Olaf Scholz shkarkoi liderin e FDP-së dhe ministrin e atëhershëm të Financave, Christian Lindner. Në dokument, FDP-ja argumentonte se dalja nga koalicioni ishte një vendim i domosdoshëm strategjik, shkruan tagesspiegel.de.

“Për shkak të dallimeve themelore midis të kuqve të gjelbër dhe FDP-së, vetë qeveria federale është bërë rreziku më i madh për vendin”, thuhej në njoftim.

Shumë shpejt pas rrjedhjes së dokumentit në publik, FDP-ja reagoi, duke deklaruar se dokumenti ishte vetëm një version pune, i përgatitur nga udhëheqja e partisë që në muajin tetor.

“Ky dokument teknik nuk ishte objekt diskutimesh politike mes zyrtarëve të zgjedhur apo anëtarëve të qeverisë, por thjesht një përgatitje e brendshme për skenarin e daljes së FDP-së nga koalicioni semafor. Nuk kemi asgjë për të fshehur”, shpjeguan ata.

Publikimi i dokumentit shkaktoi reagime të ashpra nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë. Sekretari i përgjithshëm i partisë, Matthias Miersch, kërkoi një ndjesë nga FDP-ja.

“FDP-ja po organizon një betejë kundër qeverisë ku bën pjesë. Është mirë që gjithçka po del ngadalë në dritë, që qytetarët të kenë një pasqyrë më të qartë. Me këto veprime të papërgjegjshme, FDP-ja po shkatërron besimin e qytetarëve tek institucionet demokratike.

Ndërkohë që njerëzit prisnin zgjidhje nga qeveria, FDP-ja po punonte për një skenar perfid largimi. Christian Lindner dhe FDP-ja kanë përgjegjësinë të shpjegojnë këtë situatë. Ata duhet t’u kërkojnë ndjesë njerëzve”, përfundoi ai. Zgjedhjet parlamentare pritet të mbahen më 23 shkurt të vitit të ardhshëm.