Ky është 27-vjeçari nga Durrësi, Artur Gjergji, që u kap mbrëmjen e djeshme në Portin e Durrësit, në tentativë për të transportuar 111 kg kanabis drejt Italisë.
Ai u arrestua rreth orës 20:00, në PKK Port, ku Shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Sektorin kundër Narkotikëve, pas kontrollit në Skaner të automjetit tip “Renault” me targë AA241ND, që Gjergji po drejtonte, dalluan një send të dyshimtë. Automjeti më pas kaloi për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, ku u gjetën të fshehura 66 pako të mbështjella me natriban, me 111 kilogramë kanabis sativa.
Por kjo nuk është hera e parë që 27-vjeçari arrestohet nga policia. Burime zyrtare bënë të ditur për “DurrësLajm” se vetëm 4 ditë më parë ai është liruar nga burgu, pasi ishte arrestuar për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Ai u arrestua në flagrancë më 18 gusht në qytetin e Durrësit, teksa po drejtonte mjetin tip Honda, motorçikletë, me targa Al999, i papajisur me leje drejtimi (lexo këtu).
Pas gati një jave në qeli dhe 4 ditësh sërish në liri, Artur Gjergji u arrestua për herë të dytë, por këtë radhë me një akuzë shumë herë më të rëndë se ajo e para. Ai akuzohet për trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe çështja e tij tashmë i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
S.L.