Kryqi i Kuq Shqiptar po vijon shpërndarjen e ndihmave humanitare për familjet në nevojë në Bashkinë e Durrësit.
Pas ndihmave të ofruara në fund të muajit janar dhe gjatë muajit shkurt për familjet e prekura nga përmbytjet, Kryqi i Kuq Shqiptar po zhvillon një tjetër fazë të shpërndarjes.
Ky proces realizohet në bashkëpunim me Bashkinë Durrës dhe falë donacionit të siguruar nga Kryqi i Kuq Kinez për komunitetin e Durrësit.
Aktualisht, ndihmat po shpërndahen për 300 familje, bazuar në listat e përgatitura nga Bashkia Durrës.
Përfituese janë familjet në vështirësi ekonomike, si edhe familjet e prekura nga përmbytjet, me synimin për të lehtësuar situatën e tyre dhe për t’u ardhur në ndihmë në përballimin e nevojave të përditshme.
Përfaqësuesit e Kryqit të Kuq Shqiptar shprehen se mbështetja ndaj komuniteteve më të prekura mbetet një prioritet, ndërsa bashkëpunimi me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë është thelbësor për të garantuar që ndihmat të arrijnë te familjet që kanë më shumë nevojë.





