Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dalë publikisht në mbështetje të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, në një kohë kur kreu i futbollit botëror po përballet me presion të madh pas një plani të dështuar për përfshirjen e investitorëve privatë në të ardhurat komerciale të Kupës së Botës.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump paralajmëroi FIFA-n se largimi i Infantinos nga posti do të ishte një “gabim i tmerrshëm” dhe se nëse ai largohet, Kupa e Botës nuk do të jetë më kurrë aq i suksesshëm apo fitimprurëse.

Deklarata e Trump vjen në një moment të vështirë për Infantinon, i cili është përballur me kritika të forta nga disa prej konfederatave më të rëndësishme të futbollit botëror.

Në qendër të debatit është plani për krijimin e FIFA Forward Enterprise (FFE), një strukturë që do të menaxhonte aspekte komerciale dhe operacionale të turneve të FIFA-s.

Projekti parashikonte mundësinë e shitjes së rreth 20% të aksioneve te investitorë privatë. Plani u kundërshtua nga UEFA, CONCACAF dhe AFC dhe përfundimisht u anulua.

Infantinos iu desh të kërkonte falje për propozimin, ndërsa konfederatat e futbollit e konsideruan çështjen shumë më serioze sesa një gabim procedural.

Tre konfederatat kritikuan gjithashtu mënyrën se si u menaxhua një takim i komitetit drejtues të FIFA-s në Marok, ku u shpreh publikisht mbështetje për Infantinon.

Sipas tyre, çështjet e rëndësishme të qeverisjes duhet të diskutohen me transparencë dhe në selinë e organizatës në Zvicër.

Përplasja mes UEFA-s dhe drejtimit të FIFA-s ka marrë përmasa të mëdha. UEFA ka konfirmuar se kërcënimi për bojkotimin e disa kompeticioneve të FIFA-s mbetet në fuqi për sa kohë Infantino vazhdon të jetë në krye të organizatës.

Situata është komplikuar edhe më tej nga raportimet për një pagesë largimi që UEFA i ka bërë një ish-punonjëseje, e cila dyshohet se kishte pasur një marrëdhënie me Infantinon gjatë kohës kur ai ishte sekretar i përgjithshëm i organizatës europiane.

Infantino ka punuar për 7 vite në UEFA dhe ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm nga viti 2009 deri në vitin 2016, përpara se të zgjidhej president i FIFA-s.

Për momentin, përplasja mes Infantinos dhe disa prej konfederatave kryesore të futbollit botëror mbetet e hapur.

Në këtë klimë tensioni, deklarata e Donald Trump përbën një mbështetje të fuqishme politike për presidentin e FIFA-s, i cili këmbëngul se mandati i tij duhet të respektohet dhe se organizata do të vazhdojë të ndjekë axhendën e saj për zhvillimin dhe globalizimin e futbollit.