Kequshqyerja ishte shkaku kryesor i vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë tek fëmijët e vegjël para viteve ’90. Situata ishte e ngjashme me kontinentin afrikan. Megjithëse mjekët e njihnin mirë këtë problematikë ata nuk mund të flisnin sepse rrezikonin vendin e punës, deri edhe burgun. Mjaft gra detyroheshin të abortonin në kushte primitive, pasi nuk kishin mundësi të rrisnin fëmijë të tjerë
Obeziteti po rrezikon seriozisht shëndetin e fëmijëve të moshës 0-14 vjeç. Mungesa e kulturës së mirërritjes së fëmijës dhe ajo e aktivitetit fizik po shton statistikat e fëmijëve që vuajnë nga diabeti apo hipertensioni. Familja dhe shkolla duhet të luajnë një rol primar për të parandaluar shtimin e numrit të fëmijëve obezë. Patologjitë e shfaqura që në moshë të re mund të shkurtojnë jetën e fëmijëve
Pediatria në vitet e periudhës komuniste ishte rrënqethëse, ndërkohë që tani mjekët pediatër po ndeshen me të tjera fenomene që kanosin seriozisht jetën aktive të fëmijëve. Para viteve ‘90 sëmundshmëria dhe vdekshmëria ishin në nivelet të larta, ndërsa tani vërehet se fëmijët gjithnjë e më shumë preken nga shëndeti i keq. Obeziteti që shkakton diabetin dhe tensionin e lartë në moshë shumë të vogël po rrisin panikun ndër specialistët e pediatrisë të cilët thonë se ende nuk ka asnjë studim apo propagandë për të ndërgjegjësuar prindërit dhe fëmijët në këtë drejtim. Mjeku pediatër dr. Dhimitër Gjergo i ka kushtuar shërbimit pediatrik plot 42 vite dhe gjatë përvojës së tij të gjatë ka ndeshur në një mori shfaqjesh të sëmundjeve të moshës së fëmijërisë, por edhe të nënave e grave. E ka nisur karrierën në zonën e thellë të Kolonjës dhe Ersekës për të mbërritur në Durrës në repartin e pediatrisë me një mori eksperiencash të hidhura, tragjike, por edhe të gëzuara në përballje me sëmundjet e ndryshme që preknin fëmijët.
Dr. Gjergo, kur keni nisur ta ushtroni profesionin dhe çfarë kujtoni nga ato vite të para kur punonit në Ersekë?
Kam nisur ta ushtroj profesionin në Ersekë. Ishte viti 1972, koha e tufëzimeve e kolektivizimeve masive. Kolonja, rreth shumë i thellë në jug të Shqipërisë, e ka vuajtur dhe përjetuar shumë keq atë periudhë të trumbetuar si revolucionarizim i vendit. Fshatarit iu morën të gjitha: toka, bagëtitë, pulat, oborri e kopshti. Mbeti pa asgjë dhe kjo ndikoi shumë në përkeqësimin e jetës. Në një varfëri të tillë ekstreme nuk mund të pritej asgjë e mirë, nuk mund të kishte shëndet dhe nënat nuk mund të sillnin në jetë fëmijë të shëndetshëm. Asokohe, pediatria ishte rrënqethëse. Sëmundjet dhe vdekshmëria ishin të larta, më të lartat në Evropë, por nuk deklaroheshin. Statistikat me fëmijë distrof dhe rakitik, apo të prekur rëndë nga kequshqyerja rriteshin ditë pas dite. As në Afrikë nuk ishte ajo gjendje. Për ne bluzat e bardha, sidomos për mjekun pediatër, gjërat ndërlikoheshin në një masë saqë nuk gjenin dot rrugëdalje për të justifikuar vdekshmërinë, pasi askush nuk guxonte të dilte për të thënë se shkak kryesor ishte politika e pastudiuar e shpronësimeve dhe tufëzimeve edhe në zonat e thella. Në Kolonjë dhe Ersekë, si në të gjithë vendin, fshatari priste rradhën për të marrë një litër qumësh pluhur. Deri këtu shkoi gjendja. Ç’mund të prisnim nga gratë shtatzëna, ç’do të sillnin në jetë ato? Sigurisht fëmijë rakitik, të pazhvilluar dhe me probleme edhe në zhvillimin mendor. Rastet e pritjes në urgjencë të fëmijëve me toksikoza, diare të rënda të ngjashme me kolerën na vinin në siklet të madh. Këta fëmijë kishin fare pak shanse për të jetuar. Diareja ishte një nga shkaqet kryesore të vdekjeve. Në vitet 1975-1985 vdekshmëria ishte 40-50 fëmijë për mijë, ndërsa sot kjo vdekshmëri ka rënë në 10-15 fëmijë për mijë. Varfëria e thellë bënte që të lindeshin fëmijë prematurë, nën peshë. Fëmija që vinte në jetë duhej të ishte me peshë mbi 2.800 gr, ndërsa pjesa më e madhe e tyre ishin nën 2.300 gr. Edhe kockat ua numëroje shumë fëmijëve, aq të dobët ishin. Kjo kategori kur vinte tek ne shihnim se barku e kurrizi ishin bërë një. I mbanim disa ditë deri në 2 javë dhe pasi foshnjet e kalonin rrezikun i kthenim në shtëpitë e tyre, ku i priste i njëjti fat. Gjatë asaj kohe edhe vdekshmëria amtare ishte e lartë sidomos tek gratë, të cilat në kushte të vështira bënin aborte kriminale.
Cilat ishin shkaqet që gratë bënin aborte të cilat ju i klasifikoni kriminale?
Periudha për të cilën flasim është koha, kur aborti ndalohej në mënyrë kategorike. Mjekët që e bënin në fshehtësi ndërprerjen e shtatzënisë numëroheshin me gishtat e dorës. Edhe ata e bënin me shumë frikë abortimin duke rrezikuar jo vetëm karrierën e mjekut. Përgjithësisht zgjidhej ora e vonë e mbrëmjes dhe ndërhyrja bëhej në banesën familjare, në një dhomë ku vendosej gruaja e mbetur shtatzënë. Nëse rasti bëhej publik, mjeku rrezikonte burgosjen dhe shumë sanksione të tjera. Në të tilla rrethana aborti kryhej nga gra të lagjes apo fshatit. Gratë, në pamundësi për të rritur shumë fëmijë, abortonin, por në rrugë krejt të pambrojtur. Nuk kishte kontraceptiv dhe as nuk bëhej ndonjë propagandë për planifikimin familjar. Këto e shtynin femrën të abortonte ilegalisht. Fshati apo edhe lagjja kishte gra që bënin punën e mamisë dhe ato kryenin edhe abortin. Kjo kategori e “mamive” nuk kishte as njohuritë më minimale, megjithatë përdoreshin në raste të tilla edhe pse ka pasur prej tyre që kanë përfunduar në qelitë e burgut.
Përgjithësisht abortin e kryenin me mjete të ndryshme duke futur në mitrën e gruas shtatzënë një masiv të huaj. Në mënyrë të dhunshme fusnin tub plastik, shkop të gdhendur e të limuar, gishtat apo edhe shtizë që shërbente për thurje trikosh. Me anë të tyre ngacmohej cipa duke shkaktuar hemoragji, ndërsa gratë rrezikoheshin nga infeksione fatale që i shtynin drejt vdekjes. Në spital vinin shumë vonë. Mjeku ishte njeriu i fundit që njoftohej në raste të tilla. Asnjëri nuk pranonte të fliste e të thoshte se bëhej fjalë për abort me mjete primitive, por që ne e kuptonim lehtë. Gratë vinin me një sërë komplikacinesh. Ishin të zbehta, me puls të dobtë, ethe, të vjella, të traumatizuara deri në gjendje të rëndë depresive, të shokuara. Luftonim për t’i mbajtur në jetë. Jo rrallë herë humbisnim të gjitha shpresat, pasi gra të tilla mbaheshin gjatë në shtëpi dhe i sillnin gjysëm të vdekura në spital. Varfëria e vështirësonte rimëkëmbjen. Familjet nuk kishin as 250 ml qumësht për fëmijët e vegjël, ndërsa për të rriturit nuk bëhej fjalë.
Për shkak të varfërisë së madhe gratë nuk kishin qumësht gjiri dhe e ndërprisnin ushqyerjen me gji 3-4 muaj, pasi kishin sjellë në jetë foshnjen. Kështu që fëmijët ushqeheshin me qull e çaj. Të vegjëlve qumështi u zëvendësohej me qumësht pluhur apo me miell orizi. Forca mbrojtëse e organizmit ndaj sëmundjeve binte. Nuk kishte qumësht të freskët, mish, vezë, djathë. Pamjaftueshmëria me proteina ndikonte në zhvillimin e dobët edhe të shëndetit mendor. Të gjitha këto ishin të mjaftueshme për nënat që të merrnin vendime të guximshme për ndërprerjen e barrës duke hequr fëmijën edhe në muajin e tretë e të katërt. Barra në raste të tilla binte mbi bluzat e bardha. Stresi e ankthi e shoqëronte pediatrin gjithandej. Sapo shkova në Ersekë na njoftuan për një rast në fshatin Kaduç. Ishte 6 orë larg nga spitali. Gruaja kishte bërë abort dhe i kishte shpërthyer hemoragji. Mjekët Niko Bendo e Zef Zefi si dhe ndihmësit e tyre: Simo Janaqi, Koço Milo e Vali Qirisi e morën në vig dhe udhëtuan në këmbë në një dimër me borë e akull deri sa e sollën në spital, ku ia shpëtuan jetën. Kemi pasur edhe raste fatale. Mbaj mend rastin e dy grave nga fshatrat e thella të Ersekës. Ishin të moshës rreth 30 vjeç, erdhën në spital me shok septik si pasojë e abortit të provokuar. Ishte viti 1973 dhe rastet erdhën në harkun kohor të dy muajve. Kishin nga tre-katër fëmijë dhe kjo qe bërë shkak për të abortuar, pasi nuk kishin me se t’i rrisnin. Në të dy rastet ishin dëmtuar vazat e gjakut duke mos pasur asnjë mundësi rigjenerimi. S’kishte statistika dhe gjithçka kalonte në heshtje. Tek-tuk bisedohej në mesin e mjekëve për nevojën e planifikimit familjar, por vetëm kaq pasi gjërat nuk mund të shtroheshin në asnjë lloj takimi.
Gjatë karrierës suaj si specialist pediatër jeni ndeshur me raste të rënda të fëmijëve pa shpresë për jetën si pasojë e kequshqyerjes….
Unë i përkas brezit të parë të specialistëve pediatër në Shqipëri. Këtë specializim 3-vjeçar e kryem në vitet 1969-1972. Për herë të parë po i jepej vendi i duhur pediatrisë. Në kursin tonë kishim në specializim mjekë nga Shkodra, Dibra, Lezha, Fieri, Vlora, Saranda e Korça. Me të përfunduar u shpërndamë në zonat tona. Sapo u futëm në realitetin e përditshëm pamë se gjendja ishte shumë e rëndë. Na vinin në urgjencën e spitalit fëmijë me dispepsi toksike, të dehidratuar, kishin humbur lëngjet. Edhe sklerat e syve u ishin tharë nga humbja e lëngjeve. U vinim pambuk të njomur me solucion fiziologjik dhe ua vendosnim në sy për të shmangur verbimin e fëmijëve, gjithnjë nëse fëmija shpëtonte. Bisedonim me prindërit e fëmijëve dhe kuptonim se fajtori kryesor për një sërë problemesh ishte të ushqyerit shumë keq. Na vinin fëmijë nga të gjitha anët e Kolonjës, Ersekës dhe Leskovikut. Çfarë t’i bënim? Në një rast erdhi në urgjencë një grua me fëmijën në dorë. Ishte prematurë, me zhvillim shumë të ngadaltë. Fëmija qe katër muajsh. Vinte nga fshati Boshaj. Kishte bërë vdekje klinike në kohën që e ëma na e la në derën e spitalit. Fëmija kishte kaluar dispepsi toksike të rëndë (diare). Nëna e foshnjes na u lut ta shpëtonim pasi nuk kishte tjetër fëmijë, madje nuk lindte dot më për shkak të një aborti që kishte bërë në ato rrugë për të cilat treguam më sipër.
E vetmja mënyrë për ta rehidruar ishte t’i bënim serum në palcën e kockës së kërcirit. Pas shumë përpjekjesh pamë se fëmija reagoi. Mjekët dhe ndihmësmjekët ishin shumë të zotë dhe të përkushtuar. Ekipi i bluzave të bardha shërbente me zell dhe profesionalizëm. Zona atje ushqeu respekt për mjekët e ndihmësmjekët: Niko Bendo, Simo Janaqi, Thoma Prifti, Vangjel Thomallari, Piro Peço, Hasan Laho, Ligor Gjoka, Naim Shtylla, Shuaip Aliko, Guri Gjergo, Nasho Fane. Luftohej për t’ia marrë vdekjes fëmijën. Distrofia ishte shfaqur. Në jo pak raste ne ndesheshim edhe me fëmijë atrof, me rënie peshe deri në 30-40 përqind. Shkak ishte mungesa e ushqimeve, mungesa e proteinave. Nëna e fëmijës ushqehej keq, shumë keq dhe nuk pritej që fëmija të ishte i shëndetshëm. Ushqimi i ditës ishte supa, çaji, marmalata, margarina, djathi i bebes, qumështi pluhur. Mishi e bulmeti ishin të rrallë dhe me pakicë. Nuk kishte ushqime as për gratë shtatzëna e as për lehonat. Të gjithë e dinin, por gjendja nuk mund të bëhej alarmante, edhe pse ishte e tillë. Secili ruante veten, nuk donim të bëheshim objekt i gjyqeve dhe as i ndonjë qarkoreje. Kaq duhej, sa të hyje në gojën e tyre, dhe pastaj përfundonte karriera. Pas viteve 1990 gjërat kanë ndryshuar megjithëse ka edhe kjo periudhë që po kalojmë problemet e veta në drejtim të shëndetit për fëmijët e moshës 0-14 vjeç.
Tani nuk kemi më fëmijë që vuajnë nga të ushqyerit e keq?
Jo, përgjithësisht nuk ekziston më frika e të ushqyerit. Tani s’kemi më fëmijë atrof, pra me rënie të theksuar të peshës si pasojë e mungesës së ushqimit. Megjithatë kjo nuk do të thotë se gjërat u zgjidhën. Përkundrazi. Mund të them se kemi nisur prej disa vitesh të ndeshemi me fenomenin e obezitetit, apo të asaj që ne i themi shpesh herë dhjamosje e tepërt. Obeziteti po merr gjithnjë e më shumë hapësira. Përgjegjësitë janë të shumta dhe pikë së pari nisin tek prindërit. Nuk është çrregullim që s’mund të kontrollohet. Është thjesht prishje e regjimit të të ushqyerit. S’ka të bëjë me trashëgiminë, së paku me të dhënat që marrim nga literatura shkencore e deritanishme. Tek ne, mirëqenia erdhi shumë më parë sesa të hynte gjerësisht në shtëpitë tona kultura e të ushqyerit, kultura e mirërritjes. Fëmijët obezë, të shëndetshëm mbi normat e pranuara, bëhen shqetësim për familjen, shkollën dhe shoqërinë. Ankthi në raste të tilla ka edhe baza të forta pasi fryrja e fëmijës nuk është vetëm çështje estetike. Ka diçka shumë më shumë se kaq. Ankthi vjen e shtohet teksa shikon foshnjet apo fëmijët që rrisin peshën trupore javë pas jave. Kultura e mirërritjes është më e gjerë sesa ne realisht e shohim dhe e gjykojmë. I shpëtuam asaj periudhe të distrofisë e rakitizmit tek fëmijët, ndërsa tani fëmijët rrezikohen nga mbipesha.
Si duhet kuptuar pohimi juaj se fëmijët rrezikohen, në ç’kuptim?
Rrezikohen do të thotë të vesh në pikëpyetje jetën. Shendeti i tepërt, dhjamosja që në moshën fëminore e rrezikon të voglin në disa drejtime. Së pari, pesha e madhe trupore e bën pasiv në jetën personale e shoqërore. Një çrregullim i tillë e shtyn atë të bëjë jetë disi pasive. Në fillimet e veta kjo duket sikur nuk do të ketë ndonjë efekt, por shumë shpejt kuptohet se fëmija do të ketë një jetë të tërhequr dhe plot sëmundje. Kështu, më së shumti, kjo kategori preket nga diabeti, por edhe sëmundjet e zemrës e të hipertensionit. Në këtë rast, edukimi shëndetësor është në nivelet më të ulta. Duke qenë se nuk ka të bëjë me trashëgiminë, atëherë është e lehtë të kuptohet se përgjegjësia nis tek familja, tek prindërit. Ende nuk ka ndonjë studim të mirëfilltë për të mësuar ndonjë përqindje të fëmijëve me mbipeshë apo edhe të të prekurve nga diabeti dhe tensioni. Me këtë gjë nuk dua të them se çdo fëmi obez është me diabet apo tension të lartë. Jo. Kjo nuk mund të ndodhë. Por nga ana tjetër askush nuk e përjashton fakti se çdo fëmi me mbipeshë trupore s’mund të ketë imunitet ndaj këtyre dy sëmundjeve. Deri tani mbipesha po shikohet si çështje estetike. Prindërve nuk u pëlqen teksa shohin një fëmijë me bark të madh e trup të bëshëm. Shtresat dhjamore dhe krijimi i palave në barkun e fëmijëve për nënat shikohen si problem i mos kënaqjes së syrit. Në shkolla ne shohim se numri i kësaj kategorie fëmijësh sa vjen e rritet. As më pak e as më shumë, kjo është thjesht pasojë e të ushqyerit pa asnjë lloj kriteri, pa asnjë lloj kujdesi. Gjithë ditën vërejmë fëmijë duke u ushqyer. Hynë e dalin në fast food, blejnë byrekë, hamburger, sufllaqe, brumra të ndryshme, ëmbëlsira etj. Të gjitha këto pa pyetur nëse ndikojnë në peshën trupore apo jo.
Prindi dhe shkolla këto gjëra i dinë mirë. Ndaj edhe përgjegjësia nis në familje duke mos lënë pas edhe edukimin shëndetësor në shkollë. Atëherë, një fëmijë me disa kilogramë më shumë mbi peshën e duhur, shfaq pathologji. Të mos harrojmë se ka shumë raste që fëmijët janë prekur nga diabeti Tip 2. Ky lloj diabeti e çon fëmijën drejt e në insulinë. Kjo për prindin dhe mjekun është gjë shumë e rëndë, tragjike. Fëmija e vuan gjithë jetën. Ai nuk i ndahet për asnjë çast insulinës edhe kur rritet dhe ka efekte të forta në të gjithë organizmin. Në raste të tilla çdo i prekur është nën rriskun e fortë të prekjes nga shumë sëmundje. Diabeti nuk shërohet. I prekuri kthehet në invalid, pasi ia privon vetes së tij shumë të drejta dhe detyrime që lidhen me punën e argëtimin. Fëmija duhet të trajtohet me një mbikqyrje të rreptë mjekësore dhe kjo e bën atë pasiv në jetë. Mjeku ka përgjegjësinë e tij për fëmijët apo të rriturit obezë, por nuk është në dorën e mjekut të ndalojë prekjen nga mbipesha të një fëmije. Edhe një herë më duhet të them se çdo gjë nis tek prindi dhe ushqyerja me kriter e bebes. Që në ditët e para të jetës mund të shfaqen shenjat e mbipeshës. Prindi nuk duhet ta anashkalojë këtë fenomen duke thënë se fëmijën e tij e ka buçko. Sigurisht që shëndeti i mirë e bën më të këndshëm fëmijën, por kur shikohet se ka zhvillim dhe zmadhim të barkut nga të ushqyerit e tepërt prindërit duhet të konsultohen me mjekun.
Veç ushqimit pa kriter, cilët janë faktorë të tjerë që ndikojnë në mbipeshë tek fëmijët?
Sot fëmijët kanë shumë mundësi argëtimi. Ata me mbipeshë trupore gjejnë ato forma që e shtojnë dhjamosjen. Dua të them se kjo kategori nuk pëlqen të merret me gjimnastikë. Fëmijët obezë nuk i shohim në palestër, në fusha të hapura për të bërë vrap, në ecje të përditshme në këmbë. Nuk i vëmë re të lozin më oborret e shkollave me top apo me lodra të tjera. Fëmijët e kësaj kategorie qëndrojnë mënjanë dhe u pëlqen të shohin bashkëmoshatarët pasi e kuptojnë lehtë se lodhen dhe nuk e përballojnë ngarkesën që duhet të marrin. Atëherë zgjedhin gjëra të tjera për t’u argëtuar. Qëndrojnë me orë të tëra para televizorit duke ndjekur emisione të ndryshme, u pëlqen jashtëzakonisht të lozin në pika interneti me videolojra, harxhojnë shumë kohë në kompjuter. Këto kanë edhe efekte të tjera. Për shembull fëmijët që rrinë me orë të tëra para kompjuterit dhe sidomos në play station lodhin deri në dëmtim edhe sytë. Sot familja, shkolla dhe mjekësia duhet të nisin të marrin sa më parë në analizë këtë fenomen të mbipeshës tek fëmijët. Para 20 e më shumë vitesh shikonim fëmijë që ishin kockë e lëkurë, tani kemi anën tjetër. Si e para edhe e dyta kanë të njëjtat probleme, rrezikojnë jetën.
Ju thoni se mungon kultura shendetësore tek prindërit dhe fëmijët…
Po mungon. Fëmijët obezë nuk ishin shqetësim në Shqipëri. Fenemoni ka nisur të shfaqet vitet e fundit. Shkaku kryesor është të ushqyerit jashtë kontrollit, yndyrnat me tepri, përdorimi i ushqimeve me pak fibra e mikroelementë dhe veprimtaritë e pakta fizike. Këto kanë të bëjnë me kulturën e edukimit shëndetësor të fëmijës. Prindi do apo nuk do mban përgjegjësi të madhe në këtë drejtim. Ata e dinë emrin e Palomës dhe emrat e personazheve në të gjitha telenovelat. Po se ç’duhet bërë me mënyrën e të ushqyerit të fëmijës së tyre as që shqetësohen. Atëherë? Në spitalin e Durrësit, sidomos gjatë verës vijnë shumë urgjenca me fëmijë që vijnë për pushime në bregdetin e Durrësit. Në këtë spital, ku shërbej edhe sot, kam vënë re se gratë kosovare kanë shumë më tepër nivel shëndetësor sesa prindërit e fëmijëve në Durrës. Nënat kosovare njohin deri në detaje disa medikamente të domosdoshme për uljen e temperaturës, ndalimin e diaresë, kollën e të tjera. Tejkalimi i përdorimit të medikamenteve ka efekte të rënda anësore.
Ne vëmë re se pjesa më e madhe e nënave gjejnë rrugën më të lehtë për t’i ulur temperaturën fëmijës së tyre. I japin fëmijës paracetamol pa llogaritur dozën duke e mbingarkuar, mjafton t’ia ulin temperaturën, në një kohë që nuk e dinë se deri në 39 gradë fëmija nuk duhet të marrë barna, pasi trupi duhet të reagojë vetë ndaj mikrobit, virusit. Veç saj, vihet re se nënat kërkojnë me ngulm përdorimin e injeksioneve, sidomos të analginës. Madje manifestohet dukshëm deri në imponim. Jo rrallë herë pediatri vendoset në dilemë të madhe. Nga njëra anë presioni i prindit, nga ana tjetër fakti se përdorimi i analginës nuk këshillohet tek fëmijët. Ata as që e njohin ibuprufenin si një ilaç me shumë efekt në uljen e temperaturës. Edhe në këtë rast, pas përdorimit të tij pritet më shumë se një orë për të parë reagimin dhe ndikimin për të vendosur nëse do të ketë ndërhyrje tjetër me medikament. Përgjithësisht, prindërit që vërejnë se fëmija i tyre ka temperaturë të lartë refuzojnë t’u bëjnë banjo për 20 minuta me ujë të vakët.
Ky është mjet shumë efikas dhe mjekësia e përdor mjaft shpesh dhe ua këshillon nënave. Për të mos thënë se prindi vepron ndryshe, krejt ndryshe. Kur fëmija ka temperaturë ata e veshin edhe më trashë. Triko mbi triko, tuta mbi tuta, shall e ç’munden. Kjo e ndërlikon edhe më tej shëndetin. Nuk ia ul temperaturën dhe as nuk e qetëson fëmijën. Përkundrazi. E keqëson dhe ia prish edhe ata tregues të mirë. Por edhe pas këshillës prindi nuk reagon në të mirë të edukimit shëndetësor. Janë po këta prindër që shkojnë në farmaci dhe marrin antibiotik për fëmijët pa asnjë lloj rekomandimi mjekësor. Kjo është e rëndë. Edhe farmacistët kanë jo pak përgjegjësi. Antibiotiku nuk është çaj që mund t’ia japësh fëmijës pa ndonjë këshillë. Shumë sëmundje kanë natyrë virale dhe kjo para çdo gjëje kërkon një konsultë. Prindërit, jo të gjithë por shumë prej tyre, vijnë tek specialisti vetëm pasi fëmija tyre ka rënie të dukshme të rezistencës. Edhe sot na ndodh që në urgjencë na vijnë fëmijë që janë mbajtur në shtëpi për një javë me temperaturë, me të vjella apo me diarre. Mjeku nuk duhet të jetë i fundit, por i pari në informimin për gjendjen e fëmijës. Bebet, por edhe fëmijët, janë shumë delikat, nuk duhet lejuar që të thyhen në dorë. Por prindi nuk duhet të shkojë e të marrë vetë ilaçet pa ndonjë konsultë. Ne mbajmë vendin e parë në përdorimin me tepri të antibiotikëve, sidomos të atyre me spektër të gjerë veprimi.
Kanë ndikim këto edhe tek fëmijët obezë?
Sigurisht që kanë. Virozat e stinës, prekja e rrugëve respiratore prej tyre, mjedisi dhe pastërtia kanë lidhje të drejtpërdrejtë. Fëmijët me mbipeshë e kanë më të ngadaltë kapërcimin e virozave të stinës. Ndotja e ajrit, qëndrimi në mjedise johigjenike rrisin probabilitetin e prekjes nga sëmundja. Fëmijët obezë ne i vëmë re që janë më të shumtë në numër në zonat urbane. Kjo për shumë e shumë arsye, një pjesë të të cilave i thamë më sipër. Fëmijët në vendet urbane sëmuren 6-12 herë në vit dhe kryesisht me sëmundje të aparatit respirator, viroza të thjeshta, rrufë etj. Ne nuk këshillojmë antibiotikë në këto raste, ndërsa prindi shkon me vrap dhe blen barna në farmaci. Kjo nuk e zgjidh problemin. Qyteti ka më shumë ndotje mjedisore, ndotje të ajrit. Në qytet ka qarkullim të dendur të mjeteve që çlirojnë në natyrë gazra të djegur e gjysëm të djegur. Fëmijët me mbipeshë janë të parët që e ndiejnë këtë rrezik dhe që e bartin. Mjeku i familjes në këto raste duhet të luajë rolin e vet. Atij së pari i lind nevoja të dëshmojë se është i kualifikuar dhe kjo e rrit besueshmërinë e prindit. Sot ne shohim se fëmija dhe i rrituri nuk shkojnë në fillim tek mjeku i lagjes e më pas të këshillohen me specialistin. Ata e kapërcejnë mjekun e familjes dhe në këtë drejtim duhet punuar shumë. Në shumë vende të botës mjeku i familjes quhet “portier”. Ai nuk lejon që fëmija apo i rrituri të kalojë në portën e spitalit ngaqë e trajton në kohë të sëmurin duke afruar këshilla dhe mjekim efikas. Është folur dhe thënë disa herë se përbën domosdoshmëri kualifikimi i të gjithë kategorisë së mjekëve të lagjes duke e parë si një mundësi të mirë për të ndërprerë dyndjen e të sëmurëve nëpër urgjencat e pediatrisë e pathologjive.
Dr. Gjimitër Gjergo, Kurrikulumi
Arsimi: Shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi”.
Fakulteti Mjekësisë në UT
Specializim 3-vjeçar për pediatër
Eksperienca: Pediatër dhe shef shërbimi në spitalin e Ersekës.
Drejtor spitali në Ersekë
Mjek pediatër në spitalin e Durrësit
Shef i shërbimit të pediatrisë në spitalin e Durrësit.
Anëtar i kryesisë së shoqatës pediatrike
Ka kryer të gjitha nivelet e kualifikimeve
Ka eksperiencë pedagogjike dhe bashkautor në libra për infermierinë dhe lektor i jashtëm për lëndën e Pediatrisë
Pjesmarrës në shumë konferenca shkencore brenda e jashtë vendit