Tre muaj më parë, “DurrësLajm” trajtoi problematikën e infrastrukturës rrugore në zonën e Shënavlashit, ku aksi “Manastiri” që lidh qendrën e fshatit me kishën e njohur të kësaj zone i përngjante rrugëve të humbura malore.
3 muaj më pas, situata duket goxha e përmirësuar. Rikonstruksioni i këtij aksi është drejt përfundimit, ndërkohë që asfalti është shtruar vetëm përgjatë thuajse gjysmës së gjatësisë së rrugës.
E ndërsa banorët e zonës i gëzohen infrastrukturës së re rrugore, që për hir të së vërtetës është shumë më e përmirësuar krahasuar me 3 muaj më parë, për shumë prej tyre problem mbeten pusetat që u mungojnë kapakët.
Siç shihet edhe në pamjet filmike që sjell operatori i “DurrësLajm”, kapakët mungojnë në të gjitha pusetat e vendosura në trotuar. Për të evituar rënien e banorëve në to, sidomos gjatë orëve të natës, disa prej tyre janë mbuluar me mjete rrethanore, apo janë rrethuar me gurë.
Ndërkohë, në njërën prej tyre, një banor ka vendosur të shkruajë edhe një paralajmërim për bashkëfshatarët e tij.
“Stop, kujdes se bie në h*le!” është diçitura e shkruar nga një dorë e shkujdesur mbi trotuar, para një pusete të hapur.
Paralajmërimi gjithsesi është i vlefshëm vetëm gjatë ditës, pasi natën është thuajse e pamundur të shihet, për shkak se vende vende përgjatë këtij aksi ndriçimi mungon…