DURRES– Emrat e Ajshe Vatës dhe Fatma Buziut, dy 18 vjeçareve nga Durrësi mbushën faqet e para të mediave të shkruara dhe edicioneve informative me historitë e tyre. Dy shoqet e klasës, nxënëse të medresë “Mustafa Varoshi” në Durrës, megjithëse me dy fate krejtësisht të kundërta ngjallën në masë të madhe vëmendjen e opinionit publik.
Të rritura jetime, me babatë që ishin martuar për herë të dytë, vajzat duket se e ndjenë shumë mungesën e nënës, në vitet e para të adoleshencës, kur edhe formohet karakteri i njeriut.
Në intervistën e dhënë për suplementin “Panorama Plus”, drejtoresha e medresesë së Durrësit, Nerima Gjinali, thotë se mungesa e nënës ka ndikuar në sjelljen e të dyja vajzave, njëra prej të cilave u bë viktimë e një maniaku seksual 80 vjeçar, ndërsa tjetra vodhi nga kasaforta e të atit 150 milion lekë për t’i shpenzuar me të fejuarin e vet të papunë.
Duke analizuar në veçanti karakteret e të dyja vajzave Gjinali thekson se Ajshe Vata ishte një shembull për të gjithë, madje ajo heziton të pranojë se Ajshja me dëshirë kishte marrëdhënie me një njeri që për nga mosha ishte gjyshi i saj, ndërkohë që për Fatma Buziun thekson se e ekzagjeronte me veshjet, të cilat nuk përshtateshin me shkollën që ajo kishte zgjedhur të frekuentonte.
Zonja Gjinali, çfarë është shkolla e medresesë?
Shkolla ka kushte ndër më të mirat në të gjitha shkollat e vendit, ku 95 përqind e gjimnazistëve vijojnë degët më të mira të fakultetit. Këtu bëhet mësim shumë i rregullt dhe ka një disiplinë të jashtëzakonshme.
Si e shpjegoni faktin që dy nga ish-nxënëset tuaja rezultuan me probleme; njëra humbi jetën e masakruar, ndërsa tjetra ndodhet në burg?
Për sa kohë nxënësit janë brenda këtyre ambienteve, ndiqen në sjellje dhe mësime, vëzhgohen maksimalisht, këshillohen etj. pastaj pjesa tjetër u takon prindërve. Nuk mund të mbajmë përgjegjësi për sjelljen e nxënësve në shtëpi apo diku tjetër, kultura mësohet që në vogëli pranë familjes.
Po në shkollë çfarë mësohet?
Ne sigurisht që punojmë shumë me nxënësit dhe u japim edukatën e nevojshme, madje për persona që kërkojnë kujdes të veçantë kemi psikologe. Ajo merret personalisht me nxënësit, kur vë re se ata kanë probleme apo shqetësime të ndryshme.
Po Ajshja apo Fatma a kanë qenë ndonjëherë nën kujdesin e psikologes?
Jo, as njëra dhe as tjetra. Asnjëra nga vajzat nuk ka shfaqur ndonjë shenjë apo kërkesë për të shkuar pranë psikologes.
Çfarë nxënësesh ishin Ajshja dhe Fatma?
Për Ajshen ende nuk arrijmë dot ta besojmë edhe tani veprimin që kreu, sigurisht nëse është e vërtetë që kishte lidhje me Shabanin. Se ajo vajzë që njihnim ne nuk mund ta bënte me vullnetin e saj. Por dyshojmë se Shabani e ka përdhunuar ose mban barrën e ndonjë tjetri. Ajshja ishte shembull për të gjithë, flas vetëm përsa i përket shkollës së medresesë. E kishin zili të gjithë, sepse ishte vajzë e zgjuar dhe mësonte jashtëzakonisht. Ndërsa edhe vajza tjetër, Fatma Buziu, kishte sjellje të mirë brenda mureve të shkollës, por e ekzagjeronte me veshjen e saj paksa të tepruar dhe jo të përshtatshme për shkollën e medresesë apo dhe shkolla të tjera.
Çfarë mendoni se mund të ketë ndikuar për fatin e mbrapshtë të tyre?
Mungesa e nënës. Fati i keq i tyre ishte se nuk kishin nënën, e cila luan një rol shumë të rëndësishëm në jetë te formimi i fëmijëve. Ato nuk e patën këtë kujdes. Patjetër që prindërit e tyre janë njerëz të mrekullueshëm dhe janë përpjekur t’i edukojnë e t’u qëndrojnë pranë, por, me sa duket… nuk paska mjaftuar. Më vjen shumë keq për të dyja vajzat.
Portretet e dy 18 vjeçareve, që frekuentonin të njëjtën shkollë dhe ishin në një klasë me njëra tjetrën.
Ajshe Vata – 18 vjeçarja, që u nda nga jeta më 11 tetor 2012, kur ishte vetëm 10 vjeçe humbi nënën dhe gjyshen, dy figura shumë të dashura për të, dhe u rrit pranë dy grave të reja të gjyshit dhe babait të saj. Ajo ishte kthyer në një nënë për dy fëmijët e vegjël, që i ati kishte me gruan e dytë. Adoleshentja, që ishte tre muajshe shtatzënë, u vra dhe kufoma e saj u përçudnua nga 80 vjeçari Shaban Norja, i cili pranoi se prej 4 vitesh kishte lidhje me vajzën e re dhe se ishte ai babai i fëmijës që ajo mbarte në bark.
Fatma Buziu – 18 vjeçarja, ish nxënëse e medresesë së Durrësit, mbeti jetime në moshën 12 vjeçare, pasi nëna e saj vdiq pas një sëmundjeje të pashërueshme. Vitin e fundit babai i saj ishte martuar për herë të dytë, por vetëm dy muaj pas largimit të Fatmës nga shtëpia, i ati ishte ndarë nga bashkëshortja, pas grindjeje të shpeshta për mungesën e parave në shtëpi. Babai i Fatmës akuzonte gruan e re për këtë gjë, ndërkohë që ajo e kishte paralajmëruar peshkatarin se ishte vajza e tij hajdutja e vërtetë. Ajo vodhi nga kasaforta e të atit rreth 150 milion lekë, që dyshohet se i ka shpenzuar me të fejuarin e saj, Ismail Xhindi, me të cilin bashkëjetonte në një apartament modern.