1100 biznese të vegjël janë futur në skemën e TVSH-së, në qytetin e Durrësit dhe kjo ka sjellë jo pak shqetësim dhe pasiguri tek këta tatimpagues.

Për të lehtësuar procedurat e për t’u njohur më mirë me zbatimin e këtij ligji është hapur në drejtorinë e Tatimeve në Durrës këndi i asistencës, i cili është inspektuar nga drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero.

Vjero dha mesazhin se nuk do të ketë penalitete për mosdeklarim në kohë, madje këto subjekte do të mbështeten me asistencë për t’i ndihmuar në aktivitetin e tyre.

Një tjetër pikë e rëndësishme ishte kontrollet që do të bëhen në zonën turistike, ku operatorëve turistikë u është ulur në 6% tatimi mbi vlerën e shtuar, si masë lehtësuese për nxitjen e turizmit. 

Drejtoresha e përgjithshme u pyet edhe për falimentimin e kompanisë së karburanteve Gulf, por tha se dosja po ndiqet nga sektori i bizneseve të mëdha.

Më pas, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve vizitoi edhe sportelet e tjera të Shërbimit të Tatimpaguesve.

K.H.