Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pas denoncimit të bërë publik nga gazetari Artan Hoxha, i cili publikoi një video ku shfaqej një ambient luksoz që, sipas tij, ndodhej brenda Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Peqin dhe përdorej nga një person i dënuar.

Përmes një njoftimi për shtyp, Drejtoria e Burgjeve bën me dije se ka kryer verifikimet përkatëse lidhur me rastin dhe thekson se nga data 30 prill 2026 e në vijim nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston asnjë ambient i tillë në IEVP Peqin.

Institucioni sqaron se mbetet i hapur ndaj çdo verifikimi institucional dhe shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me organet kompetente për zbardhjen e plotë të çështjes.

Gjithashtu, Drejtoria e Burgjeve u bën thirrje mediave, gazetarëve dhe çdo personi që disponon informacione shtesë mbi këtë rast që t’i vënë ato në dispozicion të autoriteteve përgjegjëse, në funksion të verifikimit të fakteve dhe transparencës institucionale.