Dy persona janë vënë në pranga nga policia e Lezhës dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi u kapën me një sasi të konsiderueshme lënde narkotike. 

Burime nga policia e Lezhës bënë me dije se në kuadër të operacionit “Final blow” u arrestua Elton Pëllumbi, 22 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi P.P., 47 vjeç, (babë e bir) banues në Ishull Shëngjin, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 65 kg lëndë narkotike, e paketuar në 9 thasë.

Ndërkohë, në pranga ra dhe Luigj Zefi, 55 vjeç, banues në Ishull-Shëngjin, pasi iu gjetën dhe asgjësuan 50 bimë narkotike të kultivuara në afërsi të banesës së tij si dhe iu sekuestrua 1 armë zjarri pushkë Model 63.

Materialet procedurale u referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake në ngarkim të Zefit si dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” në ngarkim të Elton Pëllumbit dhe shtetasit P.P.