Sot kalaja e Skënderbeut, një nga kalatë mesjetare më të rëndësishme në Shqipëri, është e mbyllur.
Pavarësisht se qytetarët paguajnë një tarifë për ta vizituar, dera e hekurt e privatit thotë “Ndal”.
Një shteg i ngushtë jo më shumë se 2 kilometra, i cili nuk ka parë kurrë “rilindje”, nuk është mirëpritës në stinën e dimrit, sepse nuk kalohet nga balta.
E ndërsa kalaja nuk admirohet dot as nga larg, krejt e kundërta ndodh me kishën e Shna Ndout.
“Ato janë pasuri kombëtare të aksesueshme, pa biletë, përsa kohë ministria e Kulturës nuk ka vendosur asnjë tarifë për hyrjen në këto pasuri. Këtu mbaron tagri i ministrisë së Kulturës”, tha ministrja Margariti më 13 shtator të këtij viti gjatë dëgjesës publike për zonën arkeologjike.
Dhe me të drejtë, sepse “këtu mbaron tagri i ministrisë”, por fillon ai i privatit.
Ky privat “i detyron” qytetarët e Republikës së Shqipërisë (dhe jo vetëm) të paguajnë për të mosparë, ndër të tjera, atë që heroi i tyre kombëtar ka lënë pas.
Po ashtu, edhe pse të rrethuara nga natyra e bukur e zonës së Ishmit, në territorin e së cilës ngrihen, këto dy monumente duken të braktisura nga vëmendja institucionale.
Bie në sy mungesa e një ciceroni, ndërsa infrastruktura rreth e qark lë shumë për të dëshiruar
Dëshmi për këtë janë këto pamje, filmuar jo më larg se dje.
Mirëpo në rastin e dy monumenteve “thembra e Akilit” nuk është as trau, as privati, por vetë shteti.
Çfarë mund e duhet të bëjë shteti, kur 2 monumente të kategorisë së parë ndodhen në një territor që i përket privatit?
Përgjigjen na e jep mjaft thjesht juristi Rezart Kthupi.
“Ligjërisht shteti ka të drejtën e shpronësimit. Mund të shpronësojë pronarin për pjesën e tokës që është e nevojshme për aksesimin e monumentit, ose në rastin tjetër mund të krijojë një servitum, që është e drejta e përdorimit të truallit të dikujt tjetër në favor të një interesi publik. Ligjërisht mekanizmat janë, vullneti është në varësi të enteve shtetërore”, shpjegon ai.
Po paratë për çfarë përdoren?
Kthupi na tregon se në këtë rast shkojnë në xhepat e një pale të tretë.
“Në rastin konkret bëhet fjalë për një pagesë, që nuk shkon në dobi të shtetit, por të një personi të tretë, që pavarësisht faktit se është privat nuk ka asnjë detyrim kundrejt monumenteve të kulturës, por përfiton një tarifë përshkak të pronësisë së tokës. Në këtë rast shteti duhet të ndërhynte duke gjetur mekanizmat ligjorë që janë, ekzitojnë.”
Që mekanizmat janë na e dëshmojnë edhe raste të tjera, deri diku të ngjashme.
Kujtojmë këtu shtëpinë muze të Aleksandër Moisiut, ku ndodhet dhe Muzeu Etnografik i Durrësit. Pronësia është private, por administrimi i monumentit bëhet nga shteti.
Edhe më e freskët është ajo që po ndodh me shtëpitë pranë Amfiteatrit, të cilat pritet të shpronësohen për t’i hapur rrugën zbulimit të plotë të monumentit unik.
Në këto kushte, ngrihet pyetja legjitime: Kur dhjetëra banesa të familjeve të vjetra durrsake planifikohet të shpronësohen për një aset të trashëgimisë kulturore, pse nuk ndodh e njejta gjë edhe me Kepin e Rodonit?
K.Gj.