Jo gjithmonë ata të cilat nuk kontrollojnë nervat në fushë janë futbollistët. Shpeshherë ndodh që edhe trajnerët të cilët në teori duhet të ruajnë qetësinë, e humbasin toruan dhe nuk kontrollojnë emocionet. Kjo ka ndodhur edhe me trajnerin Roberto De Zerbi në Ukrainë. Tekniku italian që është në drejtimin e Shakhtar Donetsk nuk është përmbajtur ndaj homologut të tij të Rukh Lviv, Leonid Kuchuk.

Teksa kishin mbetur diku te 20 minuta për t’u luajtur dhe sfida ishte e mbërthyer në shifrat 0-0, De Zerbi nis të kapet me bjellorusin ndërsa arbitri i ndëshkoi të dy me karton të verdhë. U duk se situata u qetësua në momentin kur italiani shkoi dhe u ul në stol, megjithatë De Zerbi ende nuk ia kishte thënë të gjitha kundërshtarit.

Ndaj, lëviz nga stoli dhe i drejtohet Kuchuk duke i thënë se ai duhet të ndryshojë profesionin dhe se nuk bën për atë punë. Në këtë moment, De Zerbi merr kartonin e dytë të verdhë dhe përjashtohet, megjithatë mund të ngushëllohet me faktin se në fund të 90 minutave, ekipi i tij ia doli të fitonte me shifrat 2-0.