DURRES, 15 maj 2015 –  Ministria e Zhvillimit Urban njofton se në bashkëpunim me shoqatën “Urban Sketcher Albania” (organizatë jo-fitimprurëse ndërkombëtare, ka për qëllim të mbështesë komunitetin global të skicuesve për të treguar historinë e tyre nëpërmjet skicave) po organizon një uorkshop treditor (15, 16 dhe 17 maj 2015) në kuadër të hartimit të PINS-it (Plani i Integruar NdërSektorial) “Durana” (rajoni ekonomik Durrës-Tiranë). Synohet të krijohet lidhje mes planifikimit të territorit dhe artit përmes skicimit të situatave urbane. Qëllimi është skicimi i tipologjive hapësinore në rajonin Tiranë-Durrës, të cilat do të përdoren më pas për analizën, ilustrimin dhe shpjegimin më të qartë dhe të saktë në publik të planit për “Durana”.

Në ditën e parë bëhet prezantimi me planin “Durana” dhe njohja e tyre me teknikat e skicimit për çështje të lidhura me planifikimin hapësinor. Në ditën e dytë, të rinjtë skicues të ndarë në grupe me 4-5 persona do të vendosen në pesë pika të përcaktuara për skicim në boshtin Tiranë-Durrës. Në përfundim të aktivitetit, do të bëhet prezantimi i punimeve sipas grupeve. 

Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftoi se ka anuluar para disa ditësh konkurset e projektimit për Urban Design in Region: Durres Economic Corridor, Durana Lots 1, 2, 3, kjo në zbatim të pikës 2, germa (a), të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 918, datë 29 dhjetor 2014 “Për kryerjen e Procedurave të Prokurimit Publik në mënyrë elektronike”.

Agjencia e lajmeve "Dyrrah"