Prej më shumë se 8 vitesh funksionon pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë (DHTI) Durrës sporteli i Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), me tre nëpunës tepër të kualifikuar. Aplikimet e shumta të biznesit në këtë sportel, dëshmojnë se nevojat për këto shërbime administrative mbeten akoma të domosdoshme për biznesin operues në Shqipëri. Në të vërtetë, jeta shoqërore e bizneseve është mjaft e pasur me ato që ndodhin brenda strukturës së tyre. Kjo kuptohet nga volumi dhe larmia e 750 aplikimeve në muaj për regjistrim fillestar si person fizik apo shoqëri tregtare (shpk, sha, shkk, etj), degë apo zyra përfaqësimi të shoqërive të huaja; ekstrakt i thjeshtë apo historik; ndryshime të çdo lloji, si të aktivitetit apo objektit të veprimtarisë, të ortakëve, administratorit, të selisë, zmadhim apo zvogëlim kapitali, NIPT-e sekondare, shndërrim i shoqërisë nga shpk në sha dhe anasjelltas, pezullim, e plot të tilla si këto; çregjistrim i personit fizik apo dhe i shoqërisë dhe shumë aplikime të tjera, njofton DHTI-ja.
Në 6-mujorin e parë të vitit 2016, vetëm pranë këtij sporteli janë hapur 245 biznese të reja, shumica rreth 80 për qind në shërbime dhe tregti, industri 10 për qind, si dhe 10 për qind në sektorët e tjerë transport, turizëm, bujqësi, etj. Pra, ka një tendencë të rritjes së numrit në qark sipas sportelit tonë.
Po ashtu, në arsim janë 6 biznese të reja (2 shkolla të mesme, 1 kopsht, dhe 3 kurse formimi profesional), ndërkohë që në shëndetësi hyjnë 13 biznese të reja (4 kabinete stomatologjike, 3 farmaci, 3 kabinete mjekësor dhe 1 laborator mjekësor). Nga numri i madh, 112 për leje mjedisore kuptojmë se është forcuar kërkesa në këtë drejtim, ndërsa numri 28 i riaplikimeve për lejet e peshkimit lidhet edhe me gabime të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, e cila kishte dhënë leje për peshkim në detin e Durrësit apo detin e Shëngjinit, kur vendi ynë laget vetëm nga dy dete: Adriatik dhe Jon! Për periudhën janar-qershor 2016 janë përgatitur pranë DHTI-së 25 statute, nga të cilët 13 me ortakë të huaj dhe 12 me ortakë shqiptarë.





