DURRES – Alarm për bombë në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës gjatë një aktiviteti të PDIU-së dhe shoqatës Çamëria . Burime nga PDIU bëjnë të ditur se vetëm pak minuta para nisjes së takimit të kësaj force politike, në orën 17.00, kanë mbërritur në pallatin e Kulturës forcat e Policisë, të cilat kishin informacion se në këtë institicion ishte vendosur një bombë.

Informacioni për vendosjen e bombës ka mbërritur përmes një telefonate anonime në sallën operative të Drejtorisë së Poiicisë Durrës.

Policia ka nxjerrë nga salla të gjithë të pranishmit dhe ka nisur kontrollet për verifikimin e informacionit.

Pas kontrollit forcat xheniere nuk kanë gjetur asgjë dhe  gjithçka ka qenë një alarm i rremë.

PDIU kishte programuar të zhvillonte një takim në mbështetje të rezolutës çame të hartuar nga kjo parti dhe të paraqitur për miratim në parlament.  Gjatë takimit do të nënshkruhej peticioni për miratimin e rezolutës.

Burime nga dega e kësaj partie në Durrës janë të mendimit se telefonata për vendosjen e një bombe ka pasur për qëllim të prishte mbarëvajtjen e takimit të kësaj force politike.

Pasi informacioni ka rezultuar i rremë, policia ka nisur punën për identifikimin e telefonuesit dhe arsyet që e shtynë të kryente një veprim të tillë.