• Janë shoqëruar 41 persona për tentativa të paligjshme për kalimin e kufirit, rënie zjarri, tentative vjedhjeje, etj.
• Janë mbështetur në përpunim 17 anije kroçera dhe 8 anije ushtarake, mysafire në port
DURRËS, 24 dhjetor 2014 – Gjatë vitit 2014 janë përballuar 44 incidente, kështu u tha më 23 dhjetor 2014, në mesditë, në analizën vjetore të Forcës së Sigurisë Portuale Durrës (FSPD), në të cilën mori pjesë edhe drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës (APD), Selim Belortaja, njoftoi zyra e shtypit e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive.
Në raportin e mbajtur nga zëvendësdrejtori i FSPD-së, Dritan Prifti, u nënvizuan disa nga arritjet e këtij viti, ndërsa u ndalua më shumë në problematikat gjatë veprimtarisë së përditshme të punonjësve të kësaj Force. Gjatë vitit që po lemë pas në territorin e portit punonjësit janë përballur me 44 incidente si tentativa të paligjshme për kalimin e kufirit, rënie zjarri, tentative vjedhjeje, etj; ndërsa janë shoqëruar në mjediset e saj 41 persona. Në raport u theksua puna e mirë në mbështetje të përpunimit të 17 anijeve kroçera dhe 8 anijeve ushtarake, mysafire në portin e Durrësit. Gjatë vitit 2014 janë zhvilluar një sërë trajnimesh me tema që lidhen me zonat e kufizuara, nivelet e sigurisë, kërcënimet nga terrori, përgatitja fizike, etj.
Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv Selim Belortaja tha:
“Ne nuk kemi pasur incidente serioze, ndërprerje të punës për shkak të FSPD-së apo fatkeqësi të tjera. Kjo edhe falë veprimtarisë së FSPD-së. Siguria nga aktet terroriste dhe stabiliteti i shtetit në këtë territor mbeten misioni kryesor i Forcës së Sigurisë portuale. Këto standarde garantohen edhe nga imazhi i punonjësve; nga puna për të shmangur kaosin apo bllokimet e trafikut apo rrezikun e dëmtimit të pronës. Është i domosdoshëm bashkëpunimin me administratën, drejtorinë operacionale, forcën zjarrfikëse, etj. ngritja së shpejti e një forumi të emergjencave dhe të sigurisë do të institucionalizojë nivelin e bashkëpunimit”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





