Një ngjarje tragjike ka tronditur veriperëndimin e Brazilit, ku një 13-vjeçar hapi zjarr brenda një shkolle në Rio Branco, duke vrarë dy anëtarë të stafit dhe duke plagosur një tjetër punonjës si dhe një nxënës.

Sipas autoriteteve, adoleshenti u arrestua menjëherë pas sulmit dhe ndodhet në paraburgim, ndërsa policia ka ndaluar edhe njerkun e tij, pronar i armës së përdorur në krim. Pistoleta është konfiskuar dhe hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Dy viktimat janë identifikuar si Alzenir Pereira dhe Raquel Sales Feitosa, të cilët, sipas informacioneve paraprake, u përpoqën të ndalonin autorin pasi vunë re sjellje të dyshimta në ambientet e shkollës. Ata u qëlluan disa herë dhe humbën jetën në vend.

Gjatë sulmit, një nxënës 11-vjeçar u plagos në kofshën e majtë, ndërsa një punonjës 45-vjeçar u qëllua në këmbë. Të plagosurit morën ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportuan në spital për trajtim të specializuar.

Si masë sigurie, mësimi është pezulluar për tre ditë në të gjitha institucionet arsimore në Acre, ndërsa ngjarja ka rikthyer shqetësimet për rritjen e sulmeve me armë zjarri në Brazil vitet e fundit.