Dy konflikte që kanë degjeneruar deri në dhunë fizike janë regjistruar 24 orët e fundit në Durrës.

I pari është regjistruar në lagjen nr.12 dhe në të kanë mbetur të përfshirë 29-vjeçari E.D. dhe 51-vjeçari H.B. Ky i fundit është dhunuar nga i riu me mjete të forta dhe si pasojë e dhunës ka pësuar lëndime të ndryshme.

Ndërkohë në konfliktin e dytë, që ka ndodhur rreth orës 19.30 të së martës, në Hamallaj dy të rinj nga fshatrat e Ishmit kanë dhunuar dy të rinj nga Hamallaj.

“Më datë 13.12.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe punohet për kapjen e shtetasve A.K. dhe E.K., vjeç 33 e 36, banues në Gjuricaj e Ishëm, pasi dyshohet se më datë 12.12.2017, rreth orës 19:30, në Hamallaj, në bashkëpunim, kanë goditur me mjete të forta shtetasit B. M. dhe B. M.,  vjeç 25 e 29, banues në Hamallaj”,- njofton policia e Durrësit.

Dy të rinjtë e shpallur në kërkim akuzohen për veprën penale “Lëndime të tjera me dashje”.