Punimet për rindërtimin e shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi” janë në fazën finale. Nga një vëzhgim që kamera e “DurrësLajm” bëri këtë të martë, në shkollë po punohet për përfundimin brenda këtij muaji të punimeve në oborr dhe palestër, e cila është konceptuar si një godinë më vete.

Pas 4 vitesh që zhvillojnë mësimin pasdite në shkolla pritëse, 550 nxënësit e këtij institucioni arsimor, 45 fëmijët e kopshtit dhe stafi pedagogjik pritet të rikthehen në shkollën e rindërtuar nga e para në muajin janar të vitit të ardhshëm bëjnë të ditur burime zyrtare nga Zyra Vendore Arsimore.

Në shkollë janë vendosur tashmë bankat, pajisjet hidrosanitare, ashensori etj. siç dëshmohet në këto foto të siguruara nga “DurrësLajm”, ndërkohë që në përfundim ajo do të ofrojë kushte dhe standarte bashkëkohore për nxënësit dhe stafin pedagogjik.

Shkolla 9-vjeçare u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 dhe Instituti i Ndërtimit mori vendimin për shembjen e saj.

Rindërtimi i kësaj godine, që po mundësohet nga programi EU4Schools, u zgjat në kohë për shkak të zbulimit mjaft të rëndësishëm arkeologjik, që doli në dritë gjatë gërmimeve për themelet e saj.  

Zbulimi i një trakti të konsiderueshëm të murit rrethues të Dyrrahut antik, të shekullit V të e.s. u shoqërua me ndërprerjen e punimeve dhe hartimin e një tjetër projekti për shkollën, pasi ajo nuk mund të rindërtohej në gjurmën e vjetër të godinës së dikurshme.

Aktualisht nuk mundësohet vizita në sitin arkeologjik, por me përfundimin e punimeve të rindërtimit, pritet që turistët dhe të apasionuarit pas trashëgimisë kulturore të mund ta shohin nga afër traktin e murit fortifikues të qytetit.

Pas shkollës “Eftali Koçi”, procesi i rindërtimit nxorri në dritë një tjetër zbulim të rëndësishëm arkeologjik, këtë herë në gjimnazin “Gjergj Kastrioti”.

Zbulimi i një mozaiku me figura gjeometrike dhe floreale, me sipërfaqe rreth 60 metra katrorë solli ndërprerjen e punimeve, ndërkohë që do të jetë Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore që do të vendosë sesi do të procedohet më tej me gërmimet.

Gërmimet e mëtejshme dhe zbulimet e mundshme që pritet të dalin në dritë do të përcaktojnë ecurinë e punimeve për ndërtimin e shkollës së mesme.

4 vite pas tërmetit, punimet civile kanë përfunduar në 8 objekte arsimore të financuara me fondet e programit EU4Schools dhe përfitues janë 3,393 nxënës, fëmijë dhe mësues.

Viti shkollor 2024-2025 pritet të jetë viti i parë, kur nxënësit e Durrësit nuk do të studiojnë më në shkolla pritëse, pasi sipas UNDP, “procesi i riparimit/rindërtimit të objekteve arsimore pritet të përfundojë brenda muajit qershor 2024”.

M.B.