Këtë vit të ri shkollor që nis më 11 shtator, mijëra nxënës të shkollave dhe vogëlushë të kopshteve të Durrësit nuk do të mund të ndjekin procesin mësimor në institucionet e tyre arsimore.

Për të katërtin vit radhazi pas tërmetit, nxënësit e 8 shkollave dhe kopshteve do të zhvillojnë mësimin në shkolla të tjera pritëse, pasi rikonstruksioni apo rindërtimi i godinave nuk ka përfunduar ende.

Programi “BE për Shkollat”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, mori përsipër riparimin/rindërtimin e 18 objekteve arsimore sipas standardeve evropiane, duke ofruar kushte më të mira arsimore për 7,229 nxënës, fëmijë dhe mësues.

“Deri më tani punimet civile kanë përfunduar në 8 objekte arsimore”,– bëri të ditur për “DurrësLajm”, zyra e shtypit pranë UNDP. Përfitues janë 3,393 nxënës, fëmijë dhe mësues.

Objektet arsimore të përfunduara:

  1. Shkolla e Mesme Profesionale “Hysen Çela”;
  2. Kopshti “1 Qershori”;
  3. Kopshti “Ismet Nanushi”, Kullë, Sukth;
  4. Shkolla e Mesme e Bashkuar “Ismet Nanushi”, Kullë, Sukth;
  5. Shkolla e Mesme “Dhosi Liperi”, Sukth;
  6. Shkolla e Mesme “Olsi Lasko”;
  7. Çerdhja Nr. 3; dhe
  8. Çerdhja Nr. 2.

Nga gjimnazet e qytetit që u përfshinë në programin e rindërtimit, vetëm “Olsi Lasko” do të jetë gati për të pritur nxënësit në fillim të muajit shtator.

Ndërkohë vijojnë punimet tek gjimnazet kryesore si “Gjergj Kastrioti” dhe “Naim Frashëri”, por edhe në shkollën e mesme sportive “Bernardina Qerraxhia”.

Këto shkolla të mesme janë mes godinave arsimore ende të papërfunduara.

  1. Shkolla 9 – vjeçare dhe kopshti “Eftali Koci”;
  2. Shkolla 9 – vjeçare “14 Nëntori”;
  3. Shkolla e Mesme “Naim Frashëri”;
  4. Shkolla e Mesme “Gjergj Kastrioti”;
  5. Kopshti Bizë, Ishëm;
  6. Kopshti Kuçok, Manëz;
  7. Shkolla e Mesme Profesionale “Bernardina Qerraxhia”;
  8. Konvikti “Bernardina Qerraxhia”

Për shkak të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe ecurisë së procesit të rindërtimit, me mijëra nxënës të gjimnazeve të qytetit kanë përfunduar vitet e shkollës së mesme pa studiuar për asnjë ditë të vetme në shkollat e tyre.

Ndërkohë “pritet të nisë përgjatë këtij muaji procesi i rindërtimit në konviktin e shkollës profesionale “Beqir Çela””,– bën të ditur UNDP, ndërsa thekson se “për shkollën 9 – vjeçare “Riza Shera”, Radë, Manëz vijon procesi i përgatitjes së projektit teknik.”

Viti shkollor 2024-2025 pritet të jetë viti i parë, kur nxënësit e Durrësit nuk do të studiojnë më në shkolla pritëse, pasi sipas UNDP, “procesi i riparimit/rindërtimit të objekteve arsimore pritet të përfundojë brenda muajit qershor 2024”.

M.B.