Tiranë, 25 qershor 2014 – Kryeinspektorja e Shërbimit të Punës në Durrës, Silvana Maksuti rrezikon gjobë, largim nga posti ose burgim deri në 6 muaj, pasi është denoncuar në Prokurori nga Inspektori i përgjithshëm i Deklarimit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj. Maksuti është denoncuar së bashku me 5 zyrtarë të tjerë të administratës, të cilët nuk kanë deklaruar pasurinë më 31 mars.
Drejtoresha Maksuti ishte një nga kandidatet per deputet e perfshire ne listen e LSI-së (ne foton poshte, Maksuti gjate prezantimit te saj si kandidate per deputete ne Durrës nga LSI). Madje Maksuti ishte nje nga 3 kandidatet e LSI-së qe iu dorezua mandati i deputetes pas lenies se mandatit nga deputeti (aktualisht minister i Mjedisit) Lefter Koka, por qe e refuzuan per t'i dhene mundesi kandidatit Bujar Derveni ta merrte kete mandat.
Në njoftimin për shtyp të ILKDP-së thuhet se zyrtarët kanë konsumuar veprën penale të mosdeklarimit të pasurisë që në Kodin Penal parashikon gjobë ose burgim deri në gjashtë muaj.
Së bashku me Maksutin në listën e zyrtarëve të kallëzuar janë përfshirë edhe Krenar Ahmeti, efektiv i Policisë së Shtetit, Taulant Kurti, inspektor në Drejtorinë e Tatimeve, Florand Prifti, inspektor hetimi në Drejtorinë e Tatimeve, Lirim Nehanaj, kryetar i komunës Gruemirë dhe Ylli Kupa, kryetar i komunës Petrelë.
Në të njëjtën kohë në njoftimin për shtyp bëhet e ditur se inspektori i Përgjithshëm do të njoftojë institucionet eprore të zyrtarëve për të kërkuar zbatimin e ligjit. Inspektori Ganaj i referohet nenit 5 të ligjit për deklarimin e pasurive, i cili detyron institucionet përgjegjëse të shkarkojnë nga detyra gjashtë zyrtarët.
“Refuzimi për deklarim sjell humbjen e funksionit dhe ndëshkimin në përputhje me Kodin Penal. Inspektori i Përgjithshëm, brenda 30 ditëve, i dërgon organit përgjegjës njoftimin e motivuar për largimin nga puna të personit që refuzon të deklarojë. Organi përgjegjës, brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit, është i detyruar të marrë masa për largimin nga puna të punonjësit që ka refuzuar deklarimin”, thuhet në nenin 5 të këtij ligji.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





