Do të përpunojë tankerë me gjatësi 250 metra, zhytje rreth 15 metra e kapacitet 20 mijë tonësh

Sistemi bovash rreth 2 500 m nga bregu

8 shtator 2015 –  Edhe një port tjetër në Porto Romano për përpunimin e tankerëve me kapacitet mbi 20 000 tonë me koncesion, në komisionet e ndryshme të përhershme të Kuvendit të Shqipërisë po diskutohet për një fakt fare pak të njohur, teksa Qeveria Shqiptare ka përgatitur projektligjin “Për miratimin e kontratës së koncesionit të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) të një porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës, ndërmjet Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe shoqërisë koncesionare “Porti MBM (multy buoy mooring)””.

Sipas relacionit të përgatitur nga Këshilli i Ministrave projektligji “Për miratimin e kontratës së koncesionit të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) të një porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës, ndërmjet Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe shoqërisë koncesionare “Porti MBM (multy buoy mooring)”” është hartuar nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe synon miratimin e kontratës së koncesionit të formës “BOT” (ndërtim, operim dhe transferim i së drejtës së pronësisë dhe operimit, në përfundim të marrëveshjes së koncesionit) të një Porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës, i cili do të pranojë përpunimin e mjeteve lundruese që transportojnë hidrokarbure të madhësive mbi 20 000 tonë, ndërmjet Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe shoqërisë koncesionare Porti MBM (Multy Buoy Mooring)”.

PROPOZIM I PAKËRKUAR

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, si autoritet kontraktues, zhvilloi më datë 19.1.2015, procedurën përkatëse për dhënien me koncesion të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) për ndërtimin, shfrytëzimin dhe transferimin e një porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës. Procedura e sipërpërmendur filloi si rezultat i propozimit të pakërkuar të subjektit “Adriatik Petroleum Platform PTE.LTD” për marrjen në koncesion dhe partneritet publik privat me qëllim menaxhimin dhe zhvillimin teknologjik për ndërtimin, shfrytëzimin dhe transferimin e një porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës për një periudhë 35-vjeçare. Autoriteti shpalli dokumentet standarde të procedurës përzgjedhëse konkurruese për dhënien me koncesion të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) për ndërtimin, shfrytëzimin dhe transferimin e një porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës. Shoqëria “Adriatik Petroleum Platform PTE.LTD” paraqiti në formë elektronike një propozim në përgjigje të procedurës konkurruese në lidhje me dhënien me koncesion të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim), për ndërtimin, shfrytëzimin dhe transferimin e një porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës, propozim i cili, pasi u trajtua, u pranua nga autoriteti. Bashkimi i shoqërive “Adriatik Petroleum Platform PTE LTD”, “ATEC S.r.l”, “Mampey Offshore Industries B.v” dhe “Salillari” u përzgjodh si fitues në fund të procesit të vlerësimit, si rezultat i përmbushjes së kërkesave të specifikuara në DSK në përputhje me përcaktimet e bëra nga autoriteti. Me shkresën nr. 1492/5 prot. datë 14.4.2015, autoriteti i ka dërguar koncesionarit, shoqërisë “Adriatik Petroleum Platform PTE.LTD”, shpk njoftimin e fituesit. Në datën 21.4.2015, me qëllim lidhjen dhe zbatimin e kontratës nga koncesionari u bë regjistrimi në QKR i shoqërisë koncesionare “Porti MBM (Multy Buoy Mooring)”. Si përfundim, autoriteti dhe shoqëria koncesionare “Porti MBM (Multy Buoy Mooring)” përfshihen në këtë kontratë me qëllim për të vënë në zbatim koncesionin në përputhje me afatet dhe dispozitat e përcaktuara.

THELLËSI 18-20 METRA

Aktualisht, infrastruktura e kufizuar e terminaleve ekzistuese limiton mundësinë

e ankorimit të anijeve cisterna, me kapacitet më të madh se 20 000 tonë. Pikërisht, për të mundësuar këtë, projekti parashikon realizimin në një periudhë 6-mujore të portit  off-shore  të ankorimit MBM me thellësi (zhytje) 18-20 metra që mundëson pritjen e anijeve me kapacitet mbi 20 000 tonë dhe që vlerësohet të çojë importet dhe eksportet e karburanteve në 1 milion tonë në vit nga të cilat 40% për eksport.

Zhvillimi i këtij projekti në Porto Romano ku janë të përqendruar më shumë se 85% të kapacitetit të magazinimit dhe ruajtjes së karburanteve, duke u integruar me infrastrukturën aktuale, do të rezultonte në rritjen dhe shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve të magazinimit, të cilat aktualisht shfrytëzohen në vetëm 60% të tyre. Për më tepër, investimi në këtë zonë do të rezultonte me kosto të reduktuara dhe do të ishte efektiv në terma financiarë.

SISTEM BOVASH RRETH 2 500 METRA NGA BREGU

Projekti parashikon realizimin e një sistemi bovash rreth 2 500 m nga linja bregdetare në afërsi të Porto Romanos në Durrës. Në këtë largësi vihet re një thellësi rreth 20 m, e projektuar për të pritur anije me gjatësi 250 m me një zhytje rreth 15 metra. Fushat e bovave, të quajtura MBM, përbëjnë një nga mënyrat e para të përdorura për ankorim në det të hapur. Normalisht ky sistem përbëhet nga një numër i ndryshëm bovash të ankoruara fort në fund të detit, nga një bovë në sipërfaqe tek e cila lidhet tubi i shkarkimit të mallrave të përziera të lëngshme dhe nga një apo më shumë tubacione, në përgjithësi të zhytura (të ankoruara dhe/ose të vendosura në fund të detit) me qëllim reduktimin e rezistencave të induktuara nga deti (valë, rryma), që lidhin bovën me serbatorët në tokë, të vendosur në afërsi të bregut.

ASHTU SI “PETROLIFERA” VLORË DHE ROMANO PORT DURRËS

Duke pasur parasysh kapacitetin e kufizuar të përpunimit të anijeve që transportojnë hidrokarbure, porti i ri do të bëjë të mundur shkarkimin e anijeve me kapacitet më të madh se 20 000 tonë. Kjo do të sjellë uljen e çmimit të karburanteve në Shqipëri për shkak të uljes së çmimit të transportit dhe çmimeve më të mira nga rafineritë (për shkak të volumit më të madh). Gjithashtu, me anë të këtij projekti synohet që Shqipëria të kthehet në nyjë furnizimi dhe për rajonin. Palët kanë preferuar të ndjekin këtë rrugë për të pasur një garanci të plotë të legjitimitetit dhe njohjes së kontratës për shkak të rëndësisë së veçantë sektoriale që ka kjo kontratë pasi do të operohet në fushën e hidrokarbureve; impaktit pozitiv që do të sjellë kjo kontratë në ekonominë vendase, si rritja e import-eksporteve në fushën e hidrokarbureve të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e çmimit të karburanteve, punësimin etj; precedentit të dy kontratave ekzistuese në këtë sektor (Petrolifera Vlorë dhe kontrata ekzistuese në Porto Romano, që të dyja janë kontrata koncesionare të miratuara me miratuara me ligj).

SHTETI MERR 2 %/VIT TARIFË KONCESIONARE

Për sa u takon të ardhurave në buxhet, parashikohet që projekti të ketë një ndikim pozitiv, për sa kohë do të mundësojë përpunimin e tonazheve të larta të hidrokarbureve dhe, rrjedhimisht, edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit do të jenë më të mëdha. Kostot e ndërtimit të këtij porti nuk prekin buxhetin e shtetit, por do të përballohen tërësisht nga firma koncesionare. Gjithashtu, pas vënies në shfrytëzim të kësaj vepre është parashikuar që koncesionari duhet t’i paguajë një tarifë koncesionare prej 2 %/vit shtetit shqiptar.

/red. th. m. portali DurresLajm/