DURRËS, 23 dhjetor 2013 – Piktori vlonjat Edmond Kojani është mysafir në qytetin e Durrësit në prag të festave të fundvitit, njofton Gëzim Kabashi i ATSH-së. Ekspozita e tij me rreth 35 punime u hap mbrëmjen e kaluar në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” të qytetit bregdetar. Pjesa më e madhe e tablove janë punime të vitit të fundit dhe dallojnë për ngjyrat e ngrohta. Autori ka sjellë në Durrës tablo të punuara në vaj, të cilat në pjesën më të madhe janë peizazhe dhe natyra të qeta. Temat janë përzgjedhur kryesisht nga bregdeti, por në vepra të veçanta nuk mungojnë edhe Berati apo Gjirokastra. Piktor profesionist që nga viti 1985 Edmond Kojani është pjesëmarrës në dhjetëra ekspozita kolektive. Ekspozita e tij në Durrës do të qëndrojë e hapur deri në ditët e para të vitit të ardhshëm.

/Sipas ATSH-së, agjencia e lajmeve “Dyrrah”/