Durrës, 16 qershor 2014 – Dy ditë pas vrasjes në mes të ditës, të biznesmenit të ndërtimit, Kujtim Dyrmishi, në plazhin e Durrësit, hetuesit janë përqendruar në të kaluarën e “Tixhes” dhe vëllait të tij, pasi vrasja duket se ka qenë për hakmarrje. Sipas hetuesve, Kujtim Dyrmishi, vëllai i tij dhe dy autorë të tjerë akuzohen për një vrasje të shumëfishtë në vitin 1997, por për mungesë provash ata nuk janë dënuar asnjëherë.

Automjeti ku po udhëtonin shtatë persona u përshkua nga breshëri të shumta kallashnikovi, që nuk kursyen asnjë prej të pranishmëve që u ndodhën në vendin dhe momentin e gabuar. Ata humbën jetën të gjithë, ndërkohë që asnjë prej tyre nuk ishte shënjestra e atentatit. Mësohet se autorët e masakrës në fjalë kishin si objektiv ekzekutimin e pronarit të makinës, të cilën rastësisht atë ditë e kishte marrë një i njohuri i tij për të shkuar në një varrim.

Një tjetër pistë hetimi është ajo e vrasjes që ka kryer vëllai i tij, Pëllumb Dyrmishi, 40 vjeç. Sipas hetuesve, ky i fundit, në vitin 2004 ka vrarë një emigrant me thikë në Athinë. Pas ngjarjes ai është arratisur në Itali, ku dhe është arrestuar për llogari të drejtësisë greke në vitin 2009. Më pas, Pëllumb Dyrmishi është ekstraduar në Greqi nga drejtësia italiane. Aktualisht është duke vuajtur dënimin prej 10 vjetësh në burgjet greke.

Gjithashtu nuk përjashtohet mundësia që i njëjti grup që vrau ortakun e tij në kompaninë “Enigma”, Xhemal Çela, të ketë vrarë edhe Kujtim Dyrmishin. Sipas hetuesve, edhe Dyrmishi ka qenë një prej të dyshuarve për vrasjen e Çelës. Ai është marrë disa herë në pyetje pas atentatit, por nuk ka pasur asnjë provë që ta implikojë në vrasje. Po të njëjtat burime thanë që biznesmeni i vrarë Xhemal Çela dhe 49-vjeçari Dyrmishi, në janar të këtij viti kishin mbyllur ortakërinë e tyre. Kjo, pak javë para ekzekutimit me tritol të komanduar ndaj Çelës.

Zyrtarisht Policia e Durrësit deklaron se, "Kujtim Dyrmishi ka një të kaluar të pasur kriminale në trafikimin e lëndëve narkotike dhe prostitucionit".

Burime nga grupi hetimor theksojnë se autorët e atentatit ndaj biznesmenit 49 vjeçar kanë qenë profesionistë, dhe nuk kanë lënë asnjë gjurmë pas. Edhe analizimi i pamjeve filmike të siguruara nga kamerat e bizneseve private rreth vendit të krimit, nuk ka rezultuar efikas. Mësohet se kamerat nuk kanë mundur të fiksojnë asnjë prej tre autorëve, pasi këtë të fundit ishin të maskuar dhe mbanin veshur uniforma ushtarake.

Makina e përdorur nga autorët për vrasjen e 49-vjeçarit Kujtim Dyrmishi rezulton e vjedhur. Burime nga policia e Durrësit sqaruan se mjeti u vodh me datë 18 maj në Tiranë. Makina i përket një qytetari nga kryeqyteti, i cili e ka denoncuar po në këtë datë në polici grabitjen e mjetit. Pronari ka deklaruar se mjeti ka qenë me targa të tjera dhe nuk ishte me xhama të zi. Siç duket autorët i kanë nxirë xhamat dhe i ndryshuan targën, në mënyrë që të mbeteshin mister dhe të mos linin prova pas krimit. Rreth një orë pas ngjarjes, makina u gjet e braktisur në nënkalimin e Shën Vlashit, në autostradën Durrës-Tiranë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/