·        Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Linditë Nikolla: “Do të verifikohet çdo shkollë fiktive. Janë përgjithësisht private, part-time”

DURRËS, 29 korrik 2014 –  Shkollës private “Talenti” në Plazh, afër Shkallnurit, i hiqet licenca, faktin e bëri publik Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Linditë Nikolla gjatë një seance dëgjimore për maturën shtetërore para Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Shqipërisë, më 29 korrik 2014.

Gjatë raportimit në komisionin parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për maturën shtetërore, duke iu referuar rastit të shkollës private “Talenti” të Durrësit, ku 280 nxënësit e saj mbetën në maturën shtetërore, ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Linditë Nikolla deklaroi se do të verifikohet çdo licencë shkolle fiktive.

“Janë përgjithësisht shkolla të licencuara private, part-time, shkolla që na rezultojnë të jenë fiktive. Ne jemi të vendosur që këto realitete t’i ndryshojmë duke ndërhyrë realisht duke parë edhe licencat e këtyre institucioneve”, u shpreh ministrja.

Gjatë raportimit në komisioni Ministrja e Arsimit dhe Sportit deklaroi se matura shtetërore pati probleme, por u morën masa në kohë teksa shtoi se do të verifikohet çdo licencë shkolle fiktive.

Gjithashtu, Ministrja e Arsimit theksoi se këtë vit pati risi në administrimin e maturës shtetërore. “Për herë të parë u bë i qartë kufiri për kalimin e maturantëve. Posta dhe policia kanë rol me rëndësi në maturën shtetërore. Pati probleme, por morëm masa”, vijoi znj. Nikolla.

Ndërkaq, duke iu referuar çështje së Formularit A2, Ministrja shpjegoi se kjo gjë lidhet me verifikimet që po bën ministria për ligjshmërinë e të gjithë universiteteve, ndërsa hapi dritën jeshile edhe për Formularin A3, që do të dalë pas vendeve të mbetura bosh nga A2.

Info

Jo vetëm arrin rekordin historik në Shqipëri, teksa i mbesin në provimin e matematikës të këtij viti 100 për qind e maturantëve, por shkollës private “Talenti” i janë sekuestruar pasuritë në dy raste në prag të maturës shtetërore 2014.

Sipas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (shih faksimilen e ekstraktit historik), më 7 tetor 2013, shoqëria “Shërbimi Përmbarimor ZIG” shpk ka njoftuar se gjykata ka vendosur masën e sekuestros konservative në aktivet e shoqërisë “Talenti” shpk deri në një urdhëresë të dytë.

Më 26 shkurt 2014, shoqëria përmbarimore “Strati Bailiff’s Service” shpk, ka urdhëruar vendosjen e masës së sekuestros konservative mbi aktivet e palës debitore në shoqërinë "Talenti" shpk deri në një urdhër të dytë. 

Shkolla është themeluar më 21 shtator 2007 dhe regjistruar më 12 dhjetor 2007, si shoqëria private “Talenti”, shpk (shih edhe: http://www.durreslajm.com/sociale/durr%C3%ABs-%E2%80%9Ctalenti%E2%80%9D-t-me-100-maturant%C3%AB-mbet%C3%ABs-i-sekuestrohen-pasurit%C3%AB).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/