·       Procedurat që duhen ndjekur gjatë furnizimit me karburant brenda dhe jashtë vendit, formularët që duhen plotësuar

26 gusht 2015 – Drejtoria e e Përgjithshme e Doganave (DPD) ka publikuar listën e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e peshkimit dhe që janë të regjistruar në organet tatimore si tatimpagues  të TVSH-së. Nga 55 subjekte në nivel vendi, portali “durreslajm.com” ka zbardhur 19 emrat, që i takojnë Durrësit:

Gold FishShpesa 1 dhe Shpresa 2Ylli QevaniAdria Mar PKonservimi AdriatikAdriamarAlbamarFridiNikoRozafaEmros KompaniErnald FishingLinea BluKapKooperativa e Peshkimit Kodra FishKing FishGrashi Shpk (shih faksimilen, ku janë shënuar dhe NIPT-et e administratorët).

DPD-ja thotë se kjo gjë bëhet në zbatim të pikës 5 të Udhëzimit nr. 18, dt. 15.06.2015 të Ministrit të Financave  dhe Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave “Për procedurat dhe kriteret e furnizimit të anijeve të peshkimit me karburant (gazoil) me përjashtim nga taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe akciza”. Ky udhëzim zbatohet për furnizimin e anijeve shqiptare të peshkimit me karburant (gazoil) pa paguar akcizë, taksë qarkullimi dhe taksë karboni. Karburanti (gazoili) për peshkim duhet të jetë i ngjyrosur, me ngjyruesin fiskal të standardit të BE-së (Solvent Yellow 124).

Info

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dërgon zyrtarisht pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, listën e subjekteve aktive të peshkimit të cilat janë të regjistruar në organet tatimore si subjekte të TVSH-së, jo më vonë se data 31 janar e çdo viti. Drejtoria që mbulon peshkimin, pranë ministrisë përgjegjëse për peshkimin, i dërgon Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, listën me emrat e subjekteve të peshkimit të pajisur me leje peshkimi dhe që janë subjekte të rregullta me detyrimet sipas legjislacionit të peshkimit, si dhe çdo ndryshim periodik në këtë listë jo më vonë se data 31 janar të çdo viti. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dërgon zyrtarisht tek të gjitha subjektet furnizuese me karburant (gazoil) me destinacion përdorimi në anijet e peshkimit, të cilat kanë magazina doganore, magazina të lira ose magazina fiskale, listën e subjekteve të peshkimit të regjistruara, si dhe të gjitha ndryshimet periodike të tyre, jo më vonë se data 31 janar e çdo viti.

Subjektet e peshkimit mundet të furnizohen brenda vendit me karburant (gazoil) me destinacion përdorimi në anijet e peshkimit, vetëm pranë operatorëve ekonomikë (shoqëritë furnizuese), të cilat administrojnë magazina të lira, magazina doganore ose magazina fiskale dhe që janë të autorizuara nga autoritetet doganore për të kryer ngjyrosje. Magazina e lirë, magazina doganore ose magazina fiskale ndërpret furnizimin me karburant (gazoil) për peshkimin, të subjekteve të peshkimit, sipas njoftimit të autoriteteve doganore. Subjektet e peshkimit mundet të furnizohen edhe jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, me kusht që karburanti (gazoili) të jetë i ngjyrosur sipas përcaktimeve të pikës 3 të këtij udhëzimi.

Subjektet furnizuese (operatorët ekonomikë), të cilët administrojnë magazina të lira, magazina doganore ose magazina fiskale dhe që janë të autorizuara nga autoritetet doganore për të kryer ngjyrosje të karburantit (gazoilit) me destinacion përdorimi në anijet e peshkimit, duhet të njoftohen nëpërmjet një kërkese me shkrim nga subjekti i peshkimit, i cili kërkon të furnizohet me karburant (gazoil) të paktën 3 ditë përpara furnizimit. Shoqëritë furnizuese njoftojnë zyrën doganore mbikëqyrëse territorialisht kompetente, për furnizimin e subjekteve të peshkimit, të paktën një ditë përpara furnizimit me karburant (gazoil) të subjekteve të peshkimit.

Shoqëria furnizuese duhet të regjistrojë në regjistrat e saj lëvizjen e karburantit (gazoilit) me destinacion përdorimi në anijet e peshkimit, sipas procedurave të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Të gjitha lëvizjet e karburantit (gazoil) me destinacion përdorimi në anijet e peshkimit që do të kryen nga subjektet e peshkimit duhet të shoqërohen kur dalin nga magazina doganore/magazina e lirë, nga deklarata doganore IM4 (me TVSH, por pa taksën e qarkullimit, taksën e karbonit dhe akcizën), si dhe dokumentacionin përkatës (faturat e shitjes dhe kuponët fiskalë të lëshuar nga magazina doganore/magazina e lirë); kur dalin nga magazina fiskale, me DSHA me akcizë të përjashtuar, si dhe dokumentacioni përkatës (faturat e shitjes dhe kuponët fiskalë të lëshuar nga depozituesi i miratuar, magazina fiskale, me TVSH, por pa taksën e qarkullimit, taksën e karbonit).

Karburanti (gazoil) quhet i çliruar për qarkullim të lirë/hedhur për konsum në mënyrë të rregullt vetëm nëse shkarkimi i autobotit bëhet në serbatorin e anijes së peshkimit. Përgjegjës për këtë procedurë është pritësi i regjistruar/subjekt i peshkimit, përfitues. Furnizimi i anijeve të peshkimit bëhet nën mbikëqyrjen e doganierit të kontrollit fizik të zyrës doganore dhe punonjësit të antikontrabandës detare. Autoboti me të cilin do të transportohet karburanti (gazoil), duhet të plotësojë kushtet e plumbosjes, sipas kritereve të miratuara në aktet nënligjore në fuqi. Karburanti (gazoil) me destinacion përdorimi në anijet e peshkimit, i blerë nga subjektet e peshkimit, nga momenti i daljes nga magazina doganore, magazina e lirë ose magazina fiskale është në ngarkim të pritësit të regjistruar/subjekt i peshkimit.

Në rast se konstatohet se karburanti (gazoil) nuk ka pasur destinacion përdorimi në anijen e peshkimit për të cilin ka përfituar përjashtimin nga akciza, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit, pritësi i regjistruar/subjekt i peshkimit detyrohet të paguajë shumën e plotë të detyrimit të akcizës, taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit së bashku me penalitetet respektive.

Në rastin kur pritësi i regjistruar/subjekt i peshkimit kërkon të furnizohet me karburant (gazoil) me destinacion përdorimi në anijet e peshkimit, në një port jashtë vendit, ky subjekt njofton zyrën doganore portuale ku ndodhet anija e peshkimit dhe kjo e fundit regjistron sasinë e karburantit (gazoil) që ndodhet në anijen e peshkimit në momentin e nisjes. Në momentin e kthimit të anijes së peshkimit nga porti i huaj në të cilin është furnizuar me karburant (gazoil), anija e peshkimit depoziton pranë zyrës doganore pritëse, deklaratën doganore IM4 (me TVSH, por pa taksën e qarkullimit, taksën e karbonit dhe akcizën) për karburantin (gazoil) e peshkimit, së bashku me faturën e blerjes së tij dhe dokumentet e tjera doganore. Zyra doganore pritëse/portuale, ku ndodhet anija e peshkimit, kryen procedurat doganore dhe vjel vetëm detyrimin e tatimit mbi vlerën e shtuar bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga subjekti i peshkimit, si dhe të sasisë gjendje në anijen e peshkimit (rezultuar nga sasia e regjistruar në nisje, plus sasia e blerë sipas faturës, minus sasia e konsumuar gjatë udhëtimit vajtje-ardhje për në portin jashtë Republikës së Shqipërisë dhe kthim).

Pritësi i regjistruar/subjekt i peshkimit duhet të justifikojë pranë autoriteteve doganore, sasinë e karburantit (gazoil) për peshkim të furnizuar nëpërmjet dokumenteve doganore, faturës së karburantit (gazoil) për peshkim të blerë, me faturat tatimore me TVSH të produktit të peshkimit të shitur, regjistrit të karburantit (gazoil) të anijeve të peshkimit ku janë shënuar sasitë e furnizuara, konsumi dhe lëvizjet e anijes së peshkimit.

Vlera totale e karburantit (gazoil) për peshkim, të furnizuar dhe konsumuar gjatë një 6-mujori, nuk mund të jetë më e madhe se 80% e vlerës totale të produktit të peshkimit, të shitur me faturë tatimore me TVSH, gjatë kësaj periudhe.

/përg. th. m. agjencia e lajmeve "Dyrrah”/