Detaje të reja kanë dalë në lidhje me rastin e kapitenit turk dhe anijes që ai drejtonte, e cila është larguar nga porti i Durrësit pa njoftim dhe pa përmbushur procedurat përkatëse.
“DurrësLajm” mëson se anija e quajtur “Stefany” me flamur të Panamasë, e ngarkuar me superfosfat rifuxho, sipas Agjencisë Detare ka pasur një sasi malli mangut gjatë verifikimeve. Bëhet me dije se nga rreth 3300 tonë të shkarkuara, rezultojnë rreth 70 tonë mungesë.
Po ashtu, anija nuk ka qëndruar në radë për procedurat rutinë të daljes nga ujërat shqiptare, por është larguar pa njoftuar autoritetet përkatëse.
“Specialistët e DVKM Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, për shtetasin turk A. K., 39 vjeç, kapiten i një anijeje, pasi dyshohet se është larguar me anijen, nga portit i Durrësit, pa njoftuar autoritetet portuale dhe pa kryer procedurat ligjore për nisjen.” njoftoi policia.





