Edhe pse në kushte pandemie, besimtarët katolikë kanë ndjekur, duke respektuar protokollet shëndetësore, Meshën e Pashkës.
Mesha u shërbye në kishën e Shën Domenikut nga at Bernard Caruana, famulltari i kësaj kishe.
Në meshën për ringjalljen e Jezu Krishtit merrnin pjesë besimtarë të të gjitha moshave, pasi në këto ditë të vështira prej pandemisë Covid-19, të gjithë kanë nevojë për t’u ndjerë të përmbushur shpirtërisht dhe për të qenë sa më pranë zotit të tyre në këtë ditë të shënuar për kalendarin e besimit katolik.
Ndryshe nga viti i kaluar, kur mesha u kremtua me kishën e zbrazur dhe besimtarët e ndoqën live në rrjete sociale, këtë herë ata mundën të ishin të pranishëm në kishë. Gjithsesi, pandemia kushtëzoi orarin e mbajtjes së meshës, pasi për shkak të orës policore, ajo u kremtua në orën 17.30.
Në urimin e tij për besimtarët katolikë të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, at Bernardi, përmes “DurrësLajm” përcjell mesazhin:
“Nuk e ka fjalën e fundit as rrasa apo guri i varrit, errësira, e keqja, pandemia, por jeta, liria, dashuria dhe varri mbetet i zbrazët. Kremtohet triumfi i jetës, i dashurisë dhe i lirisë. Urimet më të përzemërta me rastin e festës së Pashkëve të gjithë shqiptarëve të besimit katolik, si dhe besimtarëve në qytetin tonë të dashur, të Durrësit. Njëherë at Gjergj Fishta pati thënë: “Vërtet ne kemi Bajram dhe Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë”. I apeloj mos besimtarëve që të hapin zemrën ndaj zotit, ndërsa besimtarëve katolikë u bëj thirrje që të hedhin një hap më shumë pranë të plotfuqishmit. Këto Pashkë le të ringjallin zemërgjerësinë, respektin dhe dashurinë mes njeri-tjetrit. Për shumë mot Pashkët!”.
M.B.





