DURRËS, 7 mars 2015 –  Sezoni i ri turistik në Durrës nis me përfundimin e punimeve në mbikalimin e Shkozetit në fund të marsit 2015. Punimet janë përqendruar të shtrimi i rrugëve që kryqëzohen poshtë urës dhe përfundimi i saj do realizohet brenda muajit mars. Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto kreu inspektimin e fundit në këtë investim prej 12.9 milionë euro, duke theksuar se para fillimit të sezonit turistik gjithçka do të ketë përfunduar. Mbikalimi i Shkozetit lidhet me mbikalimin e Plepave, me autostradën Tiranë-Durrës si dhe me parkun energjetik të Porto-Romanos dhe një nyjë shumë e rëndësishme për trafikun në shkallë vendi. 

Të shtunën, më 7 mars 2015, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto inspektoi punimet për ndërtimin e mbikalimit në Shkozet, pjesë e projektit për bajpas-in e Durrësit. Punimet për ndërtimin e kësaj nyje të rëndësishme kanë rifilluar në muajin janar 2014 dhe pritet të mbarojnë në fund të muajit mars 2015, duke përfshirë në këtë afat sinjalistikën dhe ndriçimin.

Mes të tjerave, kreu i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhiansto deklaroi:

“Puna ka ecur me ritmet e pritshme. Ky projekt po realizohet me standardin dhe cilësinë e kërkuar nga ne dhe duket se do të kemi gati në fund të këtij muaji përfundimin e punimeve në këtë nyje kaq të rëndësishme. Përfundimi i mbikalimit të Shkozetit do t’i japë rrjedhën e duhur qarkullimit rrugor.

U kërkoj gjithë kontraktuesve të punojnë me ritme të shpejta në akset kryesore në vend, të jemi gati për sezonin turistik, por pa anashkaluar standardin dhe cilësinë, dy prioritetet tona në ndërtimin e veprave”.

Gjatë inspektimit disa banorë të zonës u ankuan se për shkak të punimeve përpara pallateve të tyre pas reshjeve grumbullohet sasi uji. Ministri Haxhinasto premtoi ndërhyrje më të gjerë pasi ky është një problem që nuk është shkaktuar nga firma që po kryen punimet, por për shkak të kuotës së ulët mbi të cilin është ndërtuar kjo zonë e Shkozetit

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/